
Rumania është detyruar të mbyllë reaktorin e fundit funksional në centralin e saj të vetëm bërthamor, pasi thatësira bëri që niveli i lumit Danub të binte në nivele rekord, një veprim i rrallë që do të ndikojë menjëherë në furnizimin me energji në Moldavinë fqinje.
Thatësira dhe nivelet rekord të ulëta të ujit kanë thelluar frikën e një krize energjetike në të gjithë Evropën, e cila po përballet me një valë të re të nxehti veror.
Danubi i goditur nga thatësira, ujërat e të cilit ftohin termocentralin rumun në Cernavoda, e detyroi Nucelarelectrica-n të mbyllte një reaktor në fund të korrikut.
Të enjten, kompania tha se duhej të mbyllte reaktorin e dytë "për shkak të rënies së ndjeshme dhe të vazhdueshme" të nivelit të ujit të lumit dhe nuk parashikoi një rinisje brenda 10 ditëve të ardhshme. Dy reaktorët prej 706 megavatësh të Nuclearelectrica përbëjnë 20% të prodhimit të energjisë në vend.
Rumania ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme energjetike gjatë gjithë gushtit dhe u ka kërkuar kompanive dhe familjeve të ulin konsumin gjatë orëve të pikut.
Mbyllja e reaktorit paraqiti probleme të menjëhershme për Moldavinë, fqinjin lindor të Rumanisë, e cila gjithashtu ka përjetuar nivele të ulëta të lumenjve dhe mbështetet në energjinë rumune për të mbuluar deri në 60% të mungesave të veta të energjisë elektrike.
Thatësira ka goditur furnizuesit e energjisë bërthamore në të gjithë Evropën.
Franca, e cila përdor energjinë bërthamore për të gjeneruar rreth 70% të energjisë elektrike, regjistroi një mungesë prej më shumë se 20% në kapacitetin e prodhimit atomik këtë javë, një deficit rekord i shkaktuar nga ndërprerjet e lidhura me thatësirën, nxehtësinë ekstreme dhe një pushtim të kandileve të detit, sipas llogaritjeve të Agence France-Presse bazuar në të dhënat e Électricité de France (EDF).
Në total, 13 nga 57 reaktorët në flotën bërthamore të EDF-së u prekën.
Hungaria, fqinje me Rumaninë, ka shmangur mbylljen e plotë të centralit të saj të vetëm bërthamor, Paks, katër reaktorët e të cilit ftohen gjithashtu nga Danubi.
Thatësira në Evropë është përkeqësuar nga ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, sipas grupit të shkencëtarëve të World Weather Atribution, të cilët paralajmërojnë se problemi do të përkeqësohet.
Nivelet e ulëta të Danubit, lumit të dytë më të gjatë në Evropë, kanë ndikuar rëndë edhe në transportin detar përgjatë rrugës së tij prej 2,850 km që shtrihet nga Gjermania perëndimore deri në Detin e Zi. (A2 Televizion)