
I rezervoi një pritje pozitive, ku nuk munguan as fjalët e veshit. Presidenti amerikan, Donald Trump, priti kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në Shtëpinë e Bardhë.
Dy liderët dolën me një marrëveshje lidhur me sanksionet e njoftuara nga Uashingtoni për të luftuar financimin e makinerisë së luftës të Rusisë përmes rrjetit energjitik. Shtëpia e Bardhë konfirmoi përjashtimin nga sanksionet dhe se do të lejojë Hungarinë që për një vit të blejë naftë dhe gaz nga Moska.
Trump dhe Orban konfirmuan edhe njëherë angazhimin e tyre për të organizuar një takim me Putin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, shkruan A2 CNN.
“Mosmarrëveshja themelore është se ata thjesht nuk duan të ndalen ende, por mendoj se do të ndalen. Mendoj se kjo i ka kushtuar shumë Rusisë, padyshim një kosto të madhe për të dyja vendet. Ata po humbasin 7,000 ushtarë në javë. Ky është një kosto e madhe. Nëse do të isha president, lufta nuk do të kishte ndodhur kurrë. E trashëgova luftën dhe mendoj se do ta përfundojmë, jo në një të ardhme shumë të largët”, tha Trump.
Trump shtoi se takimi i Budapestit me Putinin nuk ndodhi sepse atje nuk do të arrihej diçka domethënëse. Megjithatë konfirmoi se ende synon një samit me liderin rus në Hungari. Presidenti amerikan vlerësoi raportet e mira të Orban me Moskën. Hungaria ka njoftuar qëllimin e saj për të blerë pajisje mbrojtëse me vlerë 700 milionë dollarë përmes sistemit të Shitjeve Ushtarake të Huaja të SHBA-së. Kjo është konfirmuar nga Departamenti i Shtetit. (A2 Televizion)
