Kaos në qiellin amerikan, mijëra fluturime të anuluara ose shtyra nga mbyllja e qeverisë

Nga Xhevahir Qardaku
7 Nëntor 2025, 22:46 | Bota

Në qiellin amerikan ka nisur kaosi. Gati 2 mijë fluturime në SHBA u anuluan ose u vonuan të premten pasi linjave ajrore iu tha të ulnin trafikun gjatë mbylljes së qeverisë. Fluturimet vendase në 40 nga aeroportet më të ngarkuara të vendit do të preken, ndërsa zyrtarët përpiqen të lehtësojnë presionin mbi kontrollorët e trafikut ajror.

Aeroportet janë përballur me mungesën e kontrollorëve të trafikut ajror, të cilët ose po marrin leje shëndetësore ose po nisin punë të dyta, pasi ushtrojnë funksionet pa pagesë gjatë mbylljes së qeverisë federale. Disa nga linjat ajrore më të mëdha amerikane po i sigurojnë klientët se do të jenë në gjendje të marrin rimbursime të plota për fluturimet e anuluara. Por qytetarët janë të lodhur nga grindja politike që po u vështirëson jetën, shkruan A2 CNN.

“Mbyllja e qeverisë është e tmerrshme dhe ka ndikuar në udhëtimin tim. U zgjova këtë mëngjes pa e ditur nëse mund të merrja fluturimin për në Kaliforni apo jo. Shpresoj që republikanët do të vijnë në vete dhe do të negociojnë me demokratët për të rihapur qeverinë, dhe ata do të ndalojnë të gjitha marrëzitë dhe mizorinë e tyre të tmerrshme ndaj njerëzve, do të sillen me dinjitet dhe do të kujdesen për të gjithë njerëzit në Shtetet e Bashkuara”, tha Michael Timinston, ish-punonjës federal.

“Qeveria duhet të rihapet. Kjo është një kohë jashtëzakonisht e gjatë për ta mbajtur qeverinë të mbyllur. Dhe nuk e kuptoj pse vazhdon, nëse republikanët i kanë të tre degët e qeverisjes, ata thjesht duhet ta zgjidhin këtë dhe ta rihapin qeverinë”, tha Jonathan Reel, ish-punonjës federal.

Administrata Federale e Aviacionit thotë se reduktimet do të fillojnë në 4% të fluturimeve të brendshme përpara se të rriten në 10% deri në fund të javës së ardhshme. Gjithashtu paralajmëron se deri në 4 mijë fluturime në ditë mund të preken. Sekretari i transportit garantoi se kjo krizë e rëndë nuk do të ndikojë në fluturimet ndërkombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos