Kompania e naftës e Hungarisë, MOL, do të rrisë dërgesat në Serbi, pasi kanë hyrë në fuqi sanksionet e Shteteve të Bashkuara ndaj Industrisë së Naftës të Serbisë (NIS), njoftoi ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto.
SHBA-ja ka nisur të zbatojë sanksionet ndaj NIS-it të enjten, duke nxitur Kroacinë që të ndalë furnizimet ne naftë të papërpunuar. Pas kësaj, janë rritur shqetësimet se NIS-i mund të ndalë operacionet brenda javësh.
“Pasi MOL luan rol të rëndësishëm në furnizimet në Serbi me naftë të papërpunuar dhe karburante ... miqtë tanë serbë mund të mbështeten te rritja e furnizimeve nga MOL”, tha Szijjarto, duke shtuar se kjo rritje nuk do të jetë në gjendje që plotësisht të zëvendësojë mungesën e dërgesave nga Kroacia.
Kryediplomati hungarez nuk dha detaje lidhur me sasinë që planifikohet të dërgohet në Serbi apo si do të dërgohet kjo naftë.
“Megjithëse opsionet tona janë të kufizuara për shkak të sfidave logjistike, ne jemi të përkushtuar të mbështesim ruajtjen e sigurisë së furnizimit [në Serbi]”, tha MOL përmes një deklarate.
NIS furnizon rreth 80 për qind të kërkesës së Serbisë për naftë dizel dhe benzinë, si dhe 90 për qind ose më shumë të karburantit për avionë. Pa qasje në tubacionin JANAF nga Deti Adriatik në Kroaci, opsionet e Serbisë për importe të mëdha të naftës së papërpunuar janë të kufizuara.
Një tubacion nafte që lidh Hungarinë me Serbinë është në fazën e planifikimit dhe, sipas Szijjartos, në muajin prill ai mund të nisë të plotësojë të gjitha nevojat e Serbisë për naftë të papërpunuar deri në vitin 2028.
Shtetet e Bashkuara e vendosën NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse, Gazprom Neft, me qëllim të parandalimit të Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.
Zbatimi i sanksioneve ishte shtyrë tetë herë, herën e fundit deri më 8 tetor.
Ndërkohë, struktura e pronësisë së NIS ka ndryshuar disa herë, por ajo është ende në pronësi të shumicës së kompanive ruse.
Gazprom doli nga NIS-i në shtator dhe një kompani tjetër e kontrolluar nga Gazprom – Intelligence nga Shën Petersburgu – u bë një nga pronarët kryesorë.
Intelligence Joint Stock Company u bë pronare e 11.3 për qind të aksioneve të kompanisë, sipas të dhënave të publikuara në faqen e internetit të Bursës së Beogradit më 21 shtator.
Pjesën më të madhe të aksioneve në NIS e mban ende Gazprom Neft, një degë e Gazprom (44.9 për qind), ndërsa shteti i Serbisë ka 29.9 për qind të aksioneve.
Aksionet e mbetura mbahen nga aksionarë të vegjël. REL (A2 Televizion)