Perla e Mesdheut kërkon banorë, ofron 20.000 euro për këdo që nis aty një jetë të re

Nga A2 CNN
10 Tetor 2025, 12:57 | Bota

Perla e Mesdheut kërkon banorë, ofron 20.000 euro për këdo

Sardenja, një nga perlat e Mesdheut dhe destinacion i njohur turistik, po përballet me një krizë serioze demografike, pas largimit të popullsisë dhe rënies së natalitetit.

Ndërsa turistët vijnë në numër të madh çdo vit, banorët e përhershëm po pakësohen ndjeshëm. Aktualisht, ishulli ka rreth 1.57 milionë banorë, një rënie krahasuar me 1.64 milionë që kishte tri dekada më parë.

Pjesa më e madhe e popullsisë është përqendruar në qytetet e mëdha, ndërsa fshatrat e vegjël po “shuhen” me shpejtësi. Një shembull domethënës është fshati Baradili, më i vogli në ishull, ku jetojnë vetëm 76 banorë dhe fëmija i fundit ka lindur 10 vite më parë. Shkolla fillore është mbyllur prej dekadash, dhe shërbimet bazë ndodhen dhjetëra kilometra larg.

Për të ringjallur ishullin, qeveria qëndrore në Romë ka ndërmarrë masa duke ofruar madje edhe para për ata që do të zhvendoseshin aty për të nisur një jetë të re, qofshin emigrantë apo shtetas italianë.

Perla e Mesdheut kërkon banorë, ofron 20.000 euro për këdo

Për të ndalur shpopullimin, autoritetet lokale po ofrojnë stimuj financiarë të konsiderueshëm:

•          Deri në 15,000 euro për të blerë ose rinovuar një shtëpi në fshatrat me më pak se 3,000 banorë.

•          Deri në 20,000 euro për të hapur një biznes të vogël në zonat rurale.

•          600 euro në muaj për fëmijën e parë dhe 400 euro për çdo fëmijë tjetër deri në moshën 5 vjeç.

•          Bashki të caktuara ofrojnë edhe bonuse shtesë, si p.sh. Baradili që jep edhe 10,000 euro ekstra.

•          Ollolai, një tjetër fshat i njohur në Sardenjë, ofron shtëpi për vetëm 1 euro.

Megjithëse stimujt janë tërheqës, rezultatet janë të kufizuara. Numri i të huajve që zhvendosen në Sardenjë mbetet shumë i ulët, pasi emigrantët përbëjnë vetëm 3.3% të popullsisë, në krahasim me mesataren kombëtare prej 8.9%.

Një nga arsyet kryesore është infrastruktura e dobët në zonat rurale dhe mungesa e perspektivës për të rinjtë. Sardenja gjithashtu ka normën më të ulët të lindshmërisë në Itali, vetëm 0.91 fëmijë për grua, shumë poshtë nivelit të nevojshëm për të ruajtur qëndrueshmërinë e popullsisë (2.1). (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos