
Dy ligjvënës të lartë republikanë amerikanë kanë kritikuar vendimin e Pentagonit për të reduktuar me 5,000 numrin e trupave amerikane të vendosura në Gjermani, duke thënë se kjo rrezikon të dobësojë parandalimin dhe do të dërgojë sinjalin e gabuar ndaj Rusisë, shkruan A2CNN.
Roger Wicker dhe Mike Rogers, të cilët drejtojnë përkatësisht komisionet e forcave të armatosura në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, thanë se në vend që të tërhiqen, këto trupa duhet të zhvendosen më në Lindje.
Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha të premten se ky veprim erdhi pas një rishikimi të plotë dhe merr parasysh “kërkesat e teatrit dhe kushtet në terren”.
Të shtunën, presidenti Donald Trump tha se mund të ketë edhe shkurtime të tjera, pa dhënë detaje. SHBA ka më shumë se 36,000 trupa aktive në Gjermani.
Ministri i mbrojtjes i Gjermanisë tha se vendimi i Pentagonit ishte “i parashikueshëm”.
Duke folur për agjencinë e lajmeve DPA, Boris Pistorius theksoi gjithashtu se “prania e ushtarëve amerikanë në Evropë, dhe veçanërisht në Gjermani, është në interesin tonë dhe në interesin e SHBA-së”.
Aleanca ushtarake e NATO-s tha se po kërkon sqarime nga Uashingtoni.
Në një deklaratë të përbashkët, Wicker dhe Rogers thanë se janë “shumë të shqetësuar nga vendimi për të tërhequr një brigadë amerikane nga Gjermania”, në një kohë kur aleatët evropianë po rrisin shpenzimet për mbrojtjen si pjesë e prodhimit të tyre të brendshëm bruto (PBB).
“Reduktimi i parakohshëm i pranisë së avancuar të Amerikës në Evropë, përpara se këto kapacitete të realizohen plotësisht, rrezikon të dobësojë parandalimin dhe të dërgojë sinjalin e gabuar ndaj Vladimir Putinit,” thuhej në deklaratë.
“Në vend që të tërhiqen plotësisht forcat nga kontinenti, është në interesin e Amerikës të ruajë një parandalim të fortë në Evropë duke zhvendosur këto 5,000 trupa amerikane drejt Lindjes”, vijon deklarata.
(A2 Televizion)