Mjeku Ermal Pashaj ka komentuar lëvizjen studentore në Serbi, duke e krahasuar me protestat në Shqipëri. Sipas tij, megjithëse të dyja lëvizjet kanë ngjashmëri në përballjen me situata politike, ekzistojnë dallime të rëndësishme që lidhen me autonominë dhe reputacionin e universiteteve.
I ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Pashaj u shpreh se studentët në Serbi arritën të gjenin një mënyrë inteligjente për t'u bashkuar, duke ruajtur njëkohësisht formacionet e tyre.
Megjithatë, ai theksoi se universitetet serbe kishin një autonomi dhe pavarësi më të madhe në mendim dhe në hartimin e programeve, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, situata është ndryshe.
“Mendoj që në Serbi ka ndodhur lufta e Davidit kundër Goliath-it, dhe ata kanë gjetur një mënyrë për mendimin tim inteligjente për t’u përbashkuar, dhe për të kursyer formacionet e veta, ndaj një situate, jo shumë larg nga realiteti ku jetojmë ne sot. Por sigurisht mendoj që ka edhe diferenca, lëvizja në Serbi me lëvizjen në Shqipëri, për faktin se institucioni i universitetit në Serbi, e kishte dhe e gëzonte reputacionin, autonominë, mëvetësinë e mendimit dhe projektimit të programeve dhe mënyrave të zhvillimit. Në atë institucion, profesorët e universitetit gëzonin një lloj reputacioni mbi vërtetësinë, luajalitetin, përgjegjshmërinë dhe investimin e tyre të sinqertë për zgjidhjen e problematikave. Kjo në Shqipëri s’është e njëjta gjë”, deklaroi Pashaj. (A2 Televizion)