Politikani Enkelejd Alibeaj ka replikuar me gazetarin Bledian Koka lidhur me mundësinë e bashkimit të forcave opozitare dhe krijimin e një fronti të përbashkët kundër qeverisë së Edi Ramës.
Gjatë debatit në "Off the Record" nga Andrea Danglli në A2CNN, Alibeaj kundërshtoi idenë e një aleance politike që do të përfshinte figura të ndryshme politike, mes tyre Erion Veliajn dhe Elisa Spiropalin.
Ai e cilësoi një bashkim të tillë si të pamoralshëm, duke argumentuar se bashkëpunimi politik duhet të mbështetet te parimet dhe jo thjesht te llogaritë për rrëzimin e qeverisë.
“Unë jam totalisht kundër aleancës së qelbësirave. Të shkosh sot dhe të kërkosh aleancë për së largu me Erion Veliajn, që çfarë s’i ke thënë dje dhe çfarë s’u ka bërë ai qytetarëve shqiptarë, edhe demokratëve, vetëm se ndihesh i dobët dhe ecën me idenë që Rama rrëzohet nga luftërat e brendshme, krisjet e brendshme, kjo pastaj është mbi të gjitha e pamoralshme. Jo aritmetika e numrave, por bashkimi i moralit. Ky bën edhe optimum”, u shpreh Alibeaj.
Ai theksoi se përplasjet mes Ramës, Veliajt dhe figurave të tjera të mazhorancës nuk duhet të shërbejnë si arsye për krijimin e aleancave me ta. “Si mund t’i thërrasësh ti sot Veliajn, Spiropalin? Deri dje i shave Qorin, Lapajn, a ishin patericë e Ramës?!”, pyet Alibeaj.
Në vijim, Alibeaj bëri edhe një krahasim mes ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në vitin 2005 dhe asaj të Partisë Socialiste në vitin 2013, duke argumentuar se politika duhet të ketë një bosht moral.
“Berisha në 2005-ën erdhi me duart e pastra, jo me kundërshtarin. Ka ndryshim esencial nga ajo që bëri Rama në 2013-ën, ku doli hapur, tha me Ilir Metën, qelbësira nga i gjithë globi mbështilluni. Një apo dy vjet më vonë Rama i lëshoi të gjithë dhe bëri aleancë me trafiqet. Politika duhet të ketë një bosht moral”, përfundoi Alibeaj. (A2 Televizion)