Fillimisht shtrëngimi i duarve, me shumë forcë… më pas dhe bisedimet që zgjatën 4 orë. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, priti në Shën Petersburg, Steve Witkoff, të dërguarin special të homologut amerikan, Donald Trump.
Kremlini njoftoi se takimi zgjati për më shumë se katër orë dhe u fokusua në “aspekte të një zgjidhjeje për Ukrainën”. Bisedimet, të tretat e Witkoff me Putinin këtë vit, u përshkruan nga i dërguari i posaçëm Kirill Dmitriev si “produktive”.
I dërguari special i Trump, u largua nga Shën Petersburgu, pas takimit me Presidentin rus Vladimir Putin. Sipas Witkoff, raporton Reuters duke cituar burime amerikane, “mënyra më e shpejtë” për të arritur një armëpushim në Ukrainë do të ishte “për të mbështetur një strategji që do t'i jepte Rusisë pronësinë e katër rajoneve lindore të Ukrainës që Moska është përpjekur t'i aneksojë në vitin 2022”. Ndërkohë, më herët, Trump ka shprehur zhgënjimin me Putinin për gjendjen e bisedimeve.
Të premten, ai shkroi në mediat sociale: “Rusia duhet të lëvizë. Shumë njerëz po vdesin, mijëra në javë, në një luftë të tmerrshme dhe të pakuptimtë”. Bisedimet vijnë pasi i dërguari i Trump në Ukrainë, Keith Kellogg, mohoi idetë apo sugjerimet se vendi mund të ndahej. Media The Times raporton se Kellogg ka propozuar dërgimin e trupave Britanike dhe Franceze për të vendosur zona kontrolli në perëndim të Ukrainës si pjesë e një force garantuese të sigurisë. Ushtria e Rusisë, sipas asaj që ka sugjeruar I dërguari amerikan, mund të qëndrojë në tokën lindore të pushtuar. “Mund të duket thuajse si Berlini pas Luftës së Dytë Botërore”, është shprehur ai. (A2 Televizion)