Rusia nuk ka më kufizime në luftën e saj ndaj Ukrainës. Të shtunën është raportuar se Rusia goditi një urë që lidh dy anët e kryeqytetit ukrainas Kiev për të dytën ditë radhazi, si pjesë e një fushate intensifikuese sulmesh ajrore ndaj infrastrukturës që po përmbysin jetën e përditshme. Një sulm me dron në Urën Jugore ishte i fundit në një seri sulmesh që nga e enjtja që detyruan pezullimin e plotë ose të pjesshëm të trafikut përgjatë saj dhe dy urave të tjera që përshkojnë lumin e gjerë Dnieper.
Bllokime të gjata trafiku gjarpëronin nëpër qytet në mëngjes dhe në mbrëmje, ndërsa banorët përpiqeshin të përshtateshin me sulmet pothuajse të vazhdueshme me dronë rusë ndaj Kievit në javët e fundit. Bomba ruse të telekomanduara goditën qytetin verilindor të Kharkiv-it, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, duke lënë të vdekur dy persona dhe duke plagosur 33 të tjerë, deklaroi kryetari i bashkisë, Ihor Terekhov.
Liudmyla Zaiarna tregoi se vajza e saj, së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët, jetonin në një nga shtëpitë e dëmtuara. Gjatë sulmit, një burrë dhe kolegu i tij ndodheshin brenda dhe më vonë u nxorën nga rrënojat, shtoi Zaiarna.
"Fëmijët ishin në kopsht dhe në shkollë. Gruaja ishte në punë. Dhe bashkëshorti i saj – dhëndri im – ndodhej aty, në shtëpi. Ata mbetën të bllokuar, por u shpëtuan. Ai nuk ishte vetëm aty; ishte me një koleg. Këtu jetonin njerëz. Këtu nuk kishte asgjë që do të thotë: asnjë objektiv ushtarak. Këtu thjesht jetonin njerëz. Këtu nuk kishte asgjë."
Më herët të premten, një person u vra dhe dy të tjerë u plagosën në një sulm me dron rus që shkaktoi një zjarr në katet e sipërme të një pallati, thanë zyrtarët. (A2 Televizion)