
Piloti i dyshuar se sulmoi një koleg gjatë një fluturimi të Flydubai-t drejt Tel Avivit të mërkurën, ishte larguar vitin e kaluar nga detyra e mëparshme në kompaninë ajrore kombëtare të Omanit, pas shqetësimeve për pikëpamje ekstremiste, bëjnë me dije dy burime për CNN.
Piloti është identifikuar si shtetasi oman Hamam al-Hammami. Sipas burimeve, ai ka lindur në Emiratet e Bashkuara Arabe, nga një baba nga Omani dhe një nënë siriane, dhe ka jetuar për disa vite në Emirate.
Një profil në LinkedIn me emrin Hamam al-Hammami tregonte se ai kishte punuar për Oman Air për shtatë vite, deri në shkurt 2025. Më pas, në qershor 2025, ai iu bashkua Royal Air Maroc, ku qëndroi deri në janar 2026. Profili nuk përmendte punësimin në Flydubai, por një nga burimet konfirmoi për CNN se profili i përkiste pilotit të përfshirë në incident. Profili është fshirë ndërkohë.
Sipas një diplomati të rajonit, piloti ishte larguar nga trajnimi për fluturime për shkak të shqetësimeve mbi pikëpamjet e tij radikale dhe ishte transferuar në një detyrë tjetër në Oman Air.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi të enjten se piloti dyshohet se i ishte nënshtruar “indoktrinimit radikal islamist”.
Burimet thanë gjithashtu se al-Hammami kishte punuar për Flydubai vetëm prej rreth tetë muajsh dhe se më parë kishte qenë pjesë e Royal Air Maroc.
Zbulimet ngrenë pikëpyetje mbi kontrollet e historikut dhe verifikimet e kandidatëve gjatë punësimit të pilotëve në aviacion. (A2 Televizion)