Një përplasje e hapur po zhvillohet mes Uashingtonit dhe Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Pas sanksioneve ndaj zyrtarëve të ICC, Donald Trump ka bërë një hap të ri nga Asambleja e Përgjithshme e OKB. Ai u ka kërkuar shteteve të tërhiqen nga Gjykata, të cilën e cilësoi si të keqe dhe arbitrare. Në qendër të konfliktit janë urdhër-arrestet ndaj Benjamin Netanyahut, por edhe juridiksioni i ICC ndaj shtetasve amerikanë. Sa larg mund të shkojë kjo përplasje dhe çfarë rrezikon vetë drejtësia ndërkombëtare?
Administrata Trump ka nisur një fushatë agresive e të paprecedentë kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare, me synimin për ta dobësuar dhe izoluar këtë insitucion. Uashingtoni po përgatitet të godasë me sanksione jo vetëm zyrtarë të ICC-së, por vetë Gjykatën mes përplasjes për hetimet dhe vendimet që prekin e aleatët e SHBA, dhe mbi të gjitha Izraelin. Në shënjestër është edhe hetimi i mëparshëm për veprimet e forcave amerikane në Afganistan. Për Uashingtonin, ICC po pretendon një juridiksion që SHBA-ja nuk e njeh dhe po ndërhyn në çështje që lidhen me sovranitetin amerikan dhe atë të aleatëve të saj. Por nuk janë vetëm sanksionet. Nga foltorja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Trump shkoi edhe më tej: Ai u bëri thirrje shteteve të botës të tërhiqen menjëherë nga ICC-ja, duke e cilësuar atë një institucion “të keq” dhe “arbitrar”.
U bëj thirrje të gjitha shteteve që janë anëtare të ICC-së të tërhiqen zyrtarisht dhe menjëherë nga ky institucion i pandershëm.
Por për të kuptuar se çfarë është realisht në lojë, duhet të kuptojmë fillimisht çfarë është kjo Gjykatë, pse u krijua dhe pse sot një prej fuqive më të mëdha të botës po kërkon ta dobësojë.
“ICC-ja është një gjykatë ndërkombëtare që heton dhe ndjek penalisht krimet më të rënda që ekzistojnë kundër njerëzimit: krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, krimin e gjenocidit dhe krimin e agresionit. Ajo u krijua nga shtetet dhe u krijua si një gjykatë e shkallës së fundit, që do të thotë se gjykata mund të hetojë dhe të ndjekë penalisht vetëm ato krime për të cilat shtetet nuk kanë vullnet ose nuk janë në gjendje të zhvillojnë ndjekje penale në nivel kombëtar.
“ICC-ja është krijuar për të zbatuar përgjegjësinë individuale ndaj personave që shkelin normat themelore të së drejtës ndërkombëtare, në një kuadër ndërkombëtar. Pra, thelbësorja është se shumë prej këtyre rasteve janë trajtuar për një kohë të gjatë nga gjykatat vendase. Por ICC-ja ishte Gjykata e parë Penale Ndërkombëtare e përhershme që ndoqi penalisht persona që, në mënyrë të thjeshtuar, i quajmë kriminelë lufte.”
ICC është krijuar nga shtetet si një gjykatë e fundit për krimet më të rënda, por pikërisht mënyra se si ajo interpreton juridiksionin e saj është bërë një prej pikave kryesore të konfliktit me Shtetet e Bashkuara. Ëashingtoni nuk e ka ratifikuar Statutin e Romës dhe kundërshton pretendimin se Gjykata mund të ushtrojë juridiksion ndaj shtetasve amerikanë ose të aleatëve të saj që nuk janë anëtarë të ICC-së, në rrethana të caktuara. Administrata Trump e konsideron këtë tejkalim të autoritetit të Gjykatës dhe kërcënim ndaj sovranitetit amerikan. Për këtë arsye, SHBA ka vendosur tashmë sanksione financiare dhe kufizime vizash ndaj zyrtarëve të ICC-së, ndërsa tani po shqyrton masa që mund të prekin vetë funksionimin e institucionit. Marco Rubio e ka përshkruar objektivin edhe më qartë: ta “çmontojë ICC-në, tullë pas tulle”.
“Gjykata Penale Ndërkombëtare është një organizatë ndërkombëtare e paligjshme, e cila, sinqerisht, e ka bërë veten të tillë, sepse pretendon se edhe nëse nuk je anëtar i asaj gjykate, ajo mund të ndërmarrë masa ndaj teje. Ajo që kjo do të thotë fjalë për fjalë në të ardhmen është se ushtarakë amerikanë, udhëheqës politikë dhe të tjerë mund ta gjejnë veten nën akuzë nga kjo Gjykatë Penale Ndërkombëtare.
Vendimi për të lëshuar një urdhër-arresti ndaj meje, kryeministrit të zgjedhur në mënyrë demokratike të Shtetit të Izraelit, dhe ndaj ish-ministrit tonë të Mbrojtjes, u mor nga një prokuror i pandershëm që po përpiqet t’u shmanget akuzave për ngacmim seksual, si dhe nga gjyqtarë të njëanshëm, të motivuar nga ndjenja antisemitike kundër të vetmit shtet hebre në botë.”
Në qendër të kësaj përplasjeje është Benjamin Netanyahu. Në vitin 2024, ICC lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe një komandanti ushtarak të Hamasit, në lidhje me luftën në Gaza. Vendimi i Hagës u kundërshtua fuqishëm nga Izraeli. Netanyahu e akuzoi prokurorin dhe gjyqtarët për një proces të motivuar politikisht dhe e refuzoi juridiksionin e Gjykatës. Trump, ndërkohë, e ka lidhur hapur fushatën amerikane kundër ICC-së me mbrojtjen e Netanyahut dhe zyrtarëve të tjerë izraelitë. Por kjo përplasje nuk nisi me Gazën. ICC kishte hyrë më herët në konflikt me Washingtonin edhe për hetimin e krimeve të dyshuara të forcave amerikane në Afganistan. Pra, dosja izraelite ka pwrshkallwzuar mw tej pwrplasjen. Dhe tani Uashingtoni po kalon nga kundërshtimi i vendimeve të veçanta te përpjekja për të goditur vetë institucionin.
“Arsyeja pse administrata Trump po e vë në shënjestër gjykatën është sepse ajo, në fakt, po kryen punën e saj. Administrata Trump po e vë ICC-në në shënjestër për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të dyshuara të kryera nga shtetas amerikanë ose nga aleatët e tyre, në këtë rast të veçantë, shtetas izraelitë. Administrata Trump ka qenë shumë e qartë. Ajo dëshiron ta shpërbëjë gjykatën ‘tullë pas tulle’, përmes mjeteve dhe metodave të ndryshme, duke përfshirë sanksionet, nxitjen e shteteve që të tërhiqen nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, nxitjen e shteteve që të ndalojnë bashkëpunimin me të dhe ndërprerjen e financimit të gjykatës. Dhe po e bëjnë këtë sepse duan pandëshkueshmëri të plotë për krimet e kryera ose nga shtetasit e tyre, ose nga aleatët e tyre.”
Por si mund të goditet një gjykatë ndërkombëtare? Përgjigjja që po shqyrton Ëashingtoni është financiare. Sanksionet mund të ndalojnë shtetasit dhe kompanitë amerikane të ofrojnë fonde, mallra apo shërbime për ICC-në pa autorizim. Dhe efekti mund të shkojë edhe më larg: kompanitë, bankat dhe organizatat jashtë Shteteve të Bashkuara mund të shmangin bashkëpunimin me Gjykatën nga frika e sanksioneve dytësore. Kjo është ajo që mbështetësit e ICC-së e konsiderojnë si rrezikun më të madh: jo vetëm goditjen e disa zyrtarëve, por krijimin e një presioni që e bën gjithnjë e më të vështirë funksionimin normal të institucionit. Ndërkohë, në Europë po diskutohet edhe mundësia e një mekanizmi mbrojtës ndaj sanksioneve amerikane, për të garantuar që kompanitë europiane të mund të vazhdojnë të punojnë me ICC-në.
Pwr shtetasit amerikanë që shkelin urdhrin ekzekutiv, kjo do të thotë se rrezikojnë deri në 20 vjet burg dhe një gjobë prej 1 milion dollarësh. Pra, një kompani amerikane që do të vazhdonte t’i ofronte shërbime gjykatës, në shkelje të urdhrit ekzekutiv, mund të gjobitej rëndë për këtë. Një person amerikan që vazhdon t’i ofrojë shërbime gjykatës, nëse vendoset në listën e sanksioneve, mund të përballet me 20 vjet burg. Për personat që nuk janë shtetas amerikanë, mund të zbatohen sanksione dytësore. Pra, ata mund të sanksionohen për ofrimin e këtyre shërbimeve dhe materialeve për gjykatën. Frika lidhur me sanksionet institucionale është se ofruesit e shërbimeve mund të ndalojnë së ofruari shërbime për gjykatën, nëse shtetet palë nuk vendosin masa mbrojtëse për të garantuar se ata që ofrojnë shërbime për gjykatën do të mbrohen. Një nga këto masa mbrojtëse është ‘statuti bllokues’ i Bashkimit Evropian, i cili do të garantonte që ata që bashkëpunojnë me gjykatën dhe i ofrojnë asaj shërbime të jenë të mbrojtur nga Bashkimi Evropian.”
Dhe ndërsa Uashingtoni kërkon që shtetet të largohen nga ICC-ja, një pjesë e madhe e Europës po bën të kundërtën: po kërkon që Gjykata të mbrohet. 125 shtete janë palë në Statutin e Romës dhe përfaqësues europianë kanë përsëritur mbështetjen për Gjykatën dhe për rendin juridik ndërkombëtar. Kryeministri holandez Rob Jetten e ka përshkruar ICC-në si një institucion që është “nën sulm”, ndërsa Kaja Kallas ka thënë se Bashkimi Europian ka mjete për të mbrojtur funksionimin e saj. Në të njëjtën kohë, disa shtete kanë njoftuar largimin ose synimin për t’u larguar nga Gjykata. Pas Naoeros, Venezuela dhe Çadi kanë shpallur plane për tërheqje, ndërsa Burkina Faso, Mali dhe Nigeri kishin paralajmëruar më herët të njëjtin hap.
“Nëse vendosen sanksione ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare në tërësi, ndikimi do të ndihet në të gjithë gjykatën dhe në të gjitha veprimtaritë e saj, përfshirë hetimet për krimet e kryera në Ukrainë, Darfur, Libi dhe Filipine. Pra, ndikimi nuk do të kufizohet vetëm te hetimet që po vihen në shënjestër nga administrata Trump. Sanksionet dhe pasojat e tyre do të shkojnë përtej hetimit për Palestinën. Ato do të shkojnë përtej hetimit për Afganistanin dhe do të ndikojnë në të gjithë punën e gjykatës, por jo vetëm gjykatën do të ndikojnë edhe në të gjithë ekosistemin e institucioneve dhe organizatave që punojnë rreth saj.”
Pra, beteja për ICC-në tashmë po shtrihet përtej Uashingtonit dhe Hagës. Njëra palë kërkon që Gjykata të kufizohet ose të dobësohet; pala tjetër argumenton se pikërisht në rastet e krimeve më të rënda nevojitet një institucion që të mund të veprojë edhe kur drejtësia kombëtare dështon. Dhe pyetja që mbetet është nëse kjo përplasje do të ndryshojë vetëm fatin e një gjykate, apo edhe mënyrën se si funksionon drejtësia ndërkombëtare në të ardhmen. (A2 Televizion)