Sulmi mbi Iran, Izraeli vrau dhe gjeneralin e fuqishëm

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 08:23 | Bota

Sulmi mbi Iran, Izraeli vrau dhe gjeneralin e fuqishëm

Gjenerali Mohammad Hossein Bagheri, është një tjetër figurë e rëndësishme e ushtrisë iraniane që është vrarë në sulmin ajror të ndërmarrë nga Izraeli në kryeqytetin Iranian mëngjesin e së premtes. Bashkë me të, në të njëjtin operacion të koduar “Rising Lion”, humbi jetën edhe kreu i Gardës Revolucionare, Hossein Salami, si dhe dy shkencëtarë të rëndësishëm bërthamorë, Mohsen Tehranchi dhe Reza Abbasi.

Mohammad Bagheri, që prej vitit 2016 mbante postin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit, ishte arkitekti kryesor i modernizimit ushtarak të Republikës Islamike dhe një strateg i njohur në fushën e mbrojtjes rajonale. I lindur në Teheran rreth vitit 1960, ai kishte një formim të fortë akademik dhe një karrierë të gjatë në Trupat e Gardës Revolucionare, ku shërbeu që nga viti 1979.

Sulmi ka shkatërruar disa ndërtesa strategjike në Teheran, ndërsa burime të afërta me qeverinë iraniane e kanë konfirmuar vrasjen e Bagherit si një humbje të rëndë për aparatin ushtarak dhe politik të vendit. Bagheri kishte qenë një figurë kyçe në ndërtimin e aleancave me Rusinë, Kinën dhe Sirinë, dhe kishte rol vendimtar në programet e raketave dhe mbrojtjes ajrore të Iranit.

Vdekja e tij vjen në një moment tensioni të lartë midis Izraelit dhe Iranit, dhe pritet të sjellë pasoja të rënda gjeopolitike në Lindjen e Mesme. Qeveria iraniane ka premtuar hakmarrje të ashpër, ndërsa udhëheqësi suprem Khamenei ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos