
Franca nuk gjen qetësi. Ashtu siç edhe i kishin paralajmëruar, protestuesit u mblodhën në qytetet kryesore franceze dhe u përleshën me autoritetet. Policia franceze hodhi gaz lotsjellës dhe sulmoi një grup protestuesish në qytetin francez të Lionit, ndërsa demonstratat u zhvilluan në të gjithë vendin, në një sfidë të re ndaj Presidentit Emmanuel Macron pas javësh trazirash.
Disa nga protestuesit u panë duke thirrur slogane kundër policisë, ndërsa disa të tjerë ishin të veshur tërësisht me të zeza dhe me fytyra të mbuluara.
Protestat mbarëkombëtare dhe një grevë nga punonjësit publikë, të thirrura nga sindikatat, përfshirë organizatorët e krahut të majtë, dhe të mbështetura nga grupet studentore, vijnë pas demonstratave mbi kostot e jetesës, shërbimet publike dhe arsimin, të cilat shkaktuan trazirat më të këqija civile që Franca ka parë prej vitesh.
Trazirat vijnë vetëm pesë muaj para zgjedhjeve presidenciale, të cilat mund të vënë kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, përballë rivalit të saj të majtë, Jean-Luc Mélenchon, në një balotazh të dytë. Macron, i cili po përfundon mandatin e tij të dytë dhe është jopopullor, nuk mund të kandidojë përsëri.
Një shkollë e mesme pranë qytetit të Tuluzës, në jugperëndim të vendit, u përfshi nga flakët të enjten në mëngjes. Nxënësit e shkollave të mesme franceze dhe demonstrues të tjerë ishin përballur më parë me policinë e trazirave në Paris, ndërsa bllokuan një rrugë me kosha plehrash të enjten në mëngjes.
Ndërsa demonstratat në Lion dhe qytete të tjera, përfshirë Marsejën dhe Nantën, filluan në mëngjes, protesta kryesore në Paris ishte planifikuar të niste vetëm në orën 14:00 (13:00 GMT), nga Place de la République. (A2 Televizion)