Donald Trump në presion, republikanët i kërkojnë ndryshim kursi pas disfatës në zgjedhje

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2026, 17:14 | Bota

Donald Trump në presion, republikanët i kërkojnë ndryshim

Presidenti Donald Trump u përball të mërkurën me presionin e republikanëve për të ndryshuar kurs, pasi disfata e thellë në zgjedhjet e mesmandatit u dha demokratëve kontrollin e Kongresit, ndërsa votuesit hodhën poshtë kandidatët e përzgjedhur personalisht prej tij në disa gara të rëndësishme.

Aleatët dhe strategët republikanë i kërkuan Trumpit të bëjë ndryshime në stafin e Shtëpisë së Bardhë, të rikthejë disiplinën dhe të braktisë politikat që, sipas tyre, shkaktuan humbjet, përfshirë luftën me Iranin dhe tarifat doganore, ndërsa presidenca e tij po hyn në vitet e fundit.

Strategu republikan me përvojë, John Feehery, i cilësoi rezultatet si një “katastrofë të madhe” për Trumpin.

“Ai duhet të bëjë një pastrim të thellë të stafit”, tha Feehery. “Që nga ky moment, çdo ditë që kalon, ai po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një president me ndikim të zbehur”.

Megjithatë, Trump nuk dha pothuajse asnjë shenjë se e konsideronte rezultatin e zgjedhjeve si një arsye për të ndryshuar drejtim.

“Nuk e shoh këtë si një goditje ndaj meje”, deklaroi ai për Fox News të martën vonë.

Demokratët do të kenë tashmë fuqinë të bllokojnë projektligjet e Trumpit, të hetojnë administratën e tij dhe të kundërshtojnë emërimet e tij në poste të rëndësishme.

Kjo pritet ta shtyjë Trumpin, i cili tashmë i ka përdorur gjerësisht kompetencat ekzekutive, të mbështetet edhe më shumë në vendimmarrjen e njëanshme, pa miratimin e Kongresit.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos