Ilaç që ngjall të vdekurit? Kjo është e vërteta e deklaratës së Donald Trump

Nga A2 CNN
15 Maj 2026, 08:48 | Bota

Ilaç që ngjall të vdekurit? Kjo është e vërteta

Një deklaratë e Presidentit amerikan Donald Trump, ku thotë me zë dhe me figurë se është gjetur një ilaç që ngjall të vdekurit, u përhap me shpejtësi në internet. “Kemi marrë njerëz që ishin të vdekur,” tha Trump. “Kishim një person që kishte marrë ritin e fundit fetar, kishte ikur, fëmijët po qanin e gjithçka, dhe nisën t’i jepnin këtë ilaç. Dhe personi u përmirësua. Funksionon”, thotë Trump nga tavolina e tij në Zyrën Ovale.

Deklarata u bë të hënën e kaluar, më 11 maj, gjatë një bashkëbisedimi rutinë me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë të dy mandateve të Trump në detyrë, amerikanët janë mësuar me një lumë të pandërprerë deklaratash të pavërteta dhe ekzagjerimesh, të pazakonta edhe për standardet tashmë të ulëta të politikës moderne. Përfaqësuesit e presidentit shpesh përpiqen t’i justifikojnë këto deklarata në mënyra të çuditshme, ndoshta “i vdekur” nuk do të thoshte realisht “i vdekur”, por ishte thjesht një mënyrë figurative e Trump për të përshkruar dikë shumë të sëmurë. Në fund, shtresat e shumta të pasaktësive krijojnë një mjegull të padepërtueshme dhe që shkakton kaos informativ.

Sa i përket këtij ilaçi të supozuar mrekullibërës, nëse sheh videon e plotë, mund të kuptohet qartë që deklarata e Trump është nxjerrë jashtë kontekstit.

Presidenti amerikan po fliste për “Right to Try Act”, një ligj i miratuar gjatë administratës së tij të parë, që u lejon pacientëve me sëmundje të pashërueshme të provojnë trajtime eksperimentale që zakonisht konsiderohen shumë të rrezikshme ose të patestuara plotësisht.

Por, siç ndodh shpesh me Trump, presidenti duket se mori idenë e një pacienti shumë të sëmurë që përmirësohet papritur, gjë që është e rrallë, por ndonjëherë ndodh, dhe nga mënyra se si thotë “i vdekur”, duket sikur po flet për protagonistin e një filmi me “zombie”.

Vlen gjithashtu të theksohet se, si shumë histori politike të Trump, edhe bilanci real i “Right to Try Act” mbetet i debatueshëm. Sipas raportimit të STAT në vitin 2024, pacientët kishin edhe më parë mundësinë të provonin trajtime eksperimentale para miratimit të ligjit. Megjithatë, ligji i ri dobësoi të drejtën e tyre për të ndërmarrë veprime ligjore nëse binin pre e mjekëve mashtrues në një moment tepër të ndjeshëm të jetës së tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos