
Inflacioni në Shtetet e Bashkuara ka arritur nivelin më të lartë në pothuajse dy vite, i ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë dhe karburanteve si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Sipas të dhënave zyrtare, çmimet e konsumit u rritën me 3.3% në mars krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë, nga 2.4% që ishte në shkurt, duke shënuar rritjen më të madhe mujore që nga viti 2022.
Rritja është nxitur kryesisht nga shtrenjtimi i naftës, pasi konflikti në rajon dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit kanë ndikuar drejtpërdrejt në furnizimet globale. Si pasojë, çmimet e benzinës u rritën me mbi 21% vetëm nga shkurti në mars, ndërsa nafta shënoi rritje mbi 30%.
Kostoja e karburanteve është reflektuar menjëherë në jetën e përditshme të qytetarëve, veçanërisht në shtete si Kalifornia, ku çmimi mesatar i benzinës ka arritur pothuajse 6 dollarë për galon, shumë më lart se mesatarja kombëtare.
Ekspertët paralajmërojnë se, megjithëse aktualisht ndikimi është i përqendruar te energjia, rreziku mbetet që kjo rritje të përhapet edhe në sektorë të tjerë, përfshirë ushqimet dhe transportin.
(A2 Televizion)