Çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera në vend po rriten më shpejt se pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë.
“Rritja e çmimeve ka ardhur kryesisht nga faktorë që lidhen me kostot dhe tregjet ndërkombëtare, por edhe nga zhvillimet e brendshme të ekonomisë. Këto presione janë reflektuar më shpejt nga sa kishim parashikuar në projeksionet tona.”, tha Sejko.
Para se të bëhet mirë, do të bëhet edhe më keq. Çmimet do të vijojnë të rriten së paku deri në gjysmën e vitit të ardhshëm.
“Presim që këto presione të jenë të përkohshme dhe gradualisht të zbuten. Nëse nuk do të ketë goditje të tjera të jashtme, kushtet monetare dhe zhvillimet ekonomike pritet të ndihmojnë në kthimin e inflacionit drejt nivelit të synuar”, tha Sejko.
Lajm i mirë mbetet se ekonomia e përgjithshme e vendit pritet të ketë ecuri të mirë.
“Ekonomia shqiptare vazhdon të shfaqë një qëndrueshmëri të mirë, e mbështetur nga konsumi, investimet dhe aktiviteti në disa prej sektorëve kryesorë. Kjo na jep një bazë të mirë për të ruajtur një perspektivë pozitive për aktivitetin ekonomik.”, tha Sejko.
Pavarësisht rrezikut për një tjetër valë inflacioni, Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në 2.5 për qind (A2 Televizion)