Plug and Play Tirana Expo 2026, eventi më i madh i inovacionit në Rajon rikthehet në Tiranë. Më 7 dhe 8 tetor, Piramida bëhet pikë takimi për startup-e, drejtues teknologjie, investitorë dhe përfaqësues të disa prej kompanive më të njohura ndërkombëtare.
Uranik Bregu, Drejtor për Evropën qendrore dhe lindore, Plug and Play, shprehet: “Ne sot po kurorëzojmë diplomimin e start-up të cilat kanë finalizuar fazën e akselerimit këtu në Tiranë përmes “Plug and Play Tirana”. Është një arritje e madhe që kurorëzon ecurinë e këtyre 21 start-up përgjatë 8 muajve”.
Këtë vit, lista e kompanive dhe organizatave që do të përfaqësohen në event përfshin emra si Google, Microsoft, Electronic Arts, Deel, Dar, Deutsche Telekom, Walt Disney dhe Gucci. Në fokus janë disa prej sektorëve, përfshirë Inteligjencën Artificiale, HealthTech, DeepTech, GovTech, e-commerce, mobility, logjistikën dhe zgjidhjet B2.
“Përmes platformës tonë, këto start-up të cilat janë nga Shqipëria kanë mundësi të ndërlidhen me tregjet globale. Kanë mundësi që produktin e tyre ta reklamojnë ndërkombtarisht”, thotë Bregu.
Plug and Play Tirana është një degë e platformës globale Plug and Play Tech Center, me seli në Silicon Valley, e cila vepron në mbi 70 qytete në mbarë botën.
“Është një lidhje e drejtpërdrejtë mes Shqipërisë dhe tregjeve ndërkombëtare të kapitalit. Gjatë dy ditëve, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të krijojnë kontakte me profesionistë të spikatur të industrisë dhe të shohin nga afër si po merr formë e ardhmja e inovacionit në vend”, vijon Bregu.
Përmes mbështetjes nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, në bashkëpunim me IN Groupe, Bashkia e Tiranës, Piramida, dhe Innovation Hub programi ka sjellë për herë të parë në Shqipëri një qasje të strukturuar të akselerimit të startup-eve. (A2 Televizion)