
Nga implantet cerebrale te mbledhja e të dhënave mendore, gjigantët e teknologjisë në Silicon Valley po investojnë miliarda dollarë në neuroteknologji, duke ngritur alarmin për të ardhmen e privatësisë dhe vetë njerëzimit.
Sipas një analize të publikuar nga Politico, debati nuk ka të bëjë më vetëm me inteligjencën artificiale, por me mundësinë reale që njeriu të bashkohet biologjikisht me AI përmes çipeve dhe ndërfaqeve tru-kompjuter.
Sipërmarrësi dhe investitori i njohur i teknologjisë, D. Scott Phoenix, deklaroi gjatë konferencës TED 2026 se njerëzit shumë shpejt do të vendosin vullnetarisht çipe kompjuterike në tru.
“Së pari do ta bëjë dikush me të cilin punoni. Ju do të rezistoni për pak kohë, siç bëtë dikur me smartfonët. Por në fund nuk do t’i shpëtoni dot”, u shpreh ai.
Edhe figura të tjera të fuqishme të Silicon Valley si Sam Altman, Peter Thiel dhe Dario Amodei kanë folur hapur për të ardhmen ku inteligjenca artificiale dhe njeriu do të funksionojnë së bashku, shkruan A2CNN.
Aktualisht, teknologjitë Brain-Computer Interface (BCI) përdoren kryesisht për qëllime mjekësore. Rasti më i njohur është ai i implantit Neuralink të Elon Musk, i cili i ka mundësuar pacientit Noland Arbaugh të kontrollojë kompjuterin vetëm me mendje.
Por ekspertët paralajmërojnë se pajisjet inteligjente të përditshme si syzet smart, orët inteligjente dhe aplikacionet që monitorojnë stresin apo gjumin po mbledhin gjithnjë e më shumë të dhëna neurologjike dhe emocionale.
Ish-drejtoresha e UNESCO-s, Audrey Azoulay, paralajmëroi në Financial Times se “nëse të dhënat janë nafta e shekullit XXI, atëherë të dhënat e trurit janë nafta bruto”.
Sipas Politico, tregu global i neuroteknologjisë pritet të arrijë deri në 52 miliardë dollarë deri në vitin 2032, ndërsa frika për manipulimin e mendjes njerëzore po shtyn disa shtete amerikane të miratojnë ligje për mbrojtjen e të dhënave neurologjike.
Debati tashmë po shihet si një nga betejat më të mëdha etike të epokës moderne: a duhet t’u lejohet kompanive private të kenë akses në mendimet dhe reagimet më intime të njeriut?
(A2 Televizion)