Trump braktis Tajvanin: Nuk jemi të interesuar për një konflikt 9 mijë milje larg

Nga Erjon Dervishi
15 Maj 2026, 15:11 | Bota

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pas përfundimit të samitit me Xi Jingping të Kinës, tha se diskutoi shitjet e armëve amerikane në Tajvan dhe tha se së shpejti do të marrë një vendim për këtë çështje, duke theksuar një pikë të nxehtë në marrëdhëniet SHBA-Kinë, shkruan A2 CNN.

Duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One pas kthimit të tij nga Kina, Trump tha se ai dhe Xi “folën shumë për Tajvanin”, por shtoi se nuk besonte se kishte konflikt për këtë çështje. Ai tha se nuk i kishte bërë asnjë angazhim Xi-së në lidhje me Tajvanin. Trump tha gjithashtu se Xi pyeti drejtpërdrejt nëse Shtetet e Bashkuara do ta mbronin Tajvanin nëse Kina sulmonte ishullin, por se ai refuzoi të përgjigjej.

“Ka vetëm një person që e di këtë, dhe ai jam unë. Unë jam i vetmi person. Kjo pyetje mu bë sot nga Presidenti Xi. Unë thashë, nuk flas për këtë. Unë nuk kam marrë asnjë angazhim për Tajvanin. Në e diskutuam shitjen e armëve për Tajvanin por asnjë vendim nuk është marrë. Por e dini, mendoj se gjëja e fundit që na duhet tani është një luftë që është 9,500 milje larg”, tha Trump.

I pyetur nëse Xi kishte sugjeruar se ekzistonte rreziku i konfliktit me Shtetet e Bashkuara për shkak të Tajvanit, Trump e minimizoi këtë perspektivë. “Nuk mendoj se ka konflikt, përveçse nuk kemi nevojë për forcën e tyre, nuk kemi nevojë për Tajvanin”, tha Trump.

Kina pretendon Tajvanin si territorin e vet dhe ka kundërshtuar prej kohësh shitjet e armëve amerikane në ishull, të cilat Pekini i sheh si ndërhyrje në punët e saj të brendshme. Shtetet e Bashkuara, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve zyrtare diplomatike me Tajvanin, mbeten mbështetësi më i rëndësishëm ndërkombëtar i Tajvanit dhe furnizuesi më i madh i armëve.

Jashtë vëmendjes nuk u la as Irani. Presidenti i SHBA-së, e quajti qëndrimin e homologut të tij kinez, Xi Jinping, ndaj Iranit "shumë interesant". "Ai është i bindur se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore", u tha ai gazetarëve në bordin e Air Force One, "dhe dëshiron që ata të hapin Ngushticën e Hormuzit.

Nga ana e tij, Teherani ka marrë zyrtarisht një përgjigje nga Shtetet e Bashkuara, të cilat "e hedhin poshtë plotësisht" propozimin e Republikës Islamike për negociatat. Al Jazeera raporton këtë, duke cituar burime iraniane, të cilat thonë se Teherani kishte përfshirë pesë kushte që duheshin përmbushur para se të fillonte negociatat bërthamore: fundin e luftës në të gjitha frontet; heqjen e të gjitha sanksioneve; lirimin e aseteve të ngrira; kompensimin për dëmet dhe humbjet e luftës; dhe njohjen e sovranitetit iranian mbi Ngushticën e Hormuzit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos