
Agjencia Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) ka shpallur shpërthimin e ri të virusit Ebola në provincën lindore Ituri të Republikës Demokratike të Kongos.
Sipas autoriteteve shëndetësore, deri tani janë raportuar rreth 246 raste të dyshuara dhe 65 viktima, kryesisht në qytetet minerare Mongwalu dhe Rwampara, shkruan A2CNN.
Africa CDC bëri të ditur se po zhvillon takime urgjente me autoritetet e RD të Kongos, Ugandës dhe Sudanit të Jugut, si dhe me partnerë ndërkombëtarë, për të koordinuar reagimin dhe mbikëqyrjen ndërkufitare.
Testet paraprake të kryera në Institutin Kombëtar të Kërkimeve Biomjekësore në Kinshasa kanë konfirmuar praninë e virusit në 13 nga 20 mostrat e analizuara, ndërsa po vijojnë analizat për identifikimin e variantit të Ebolës.
Autoritetet shëndetësore shprehen të shqetësuara për rrezikun e përhapjes së mëtejshme për shkak të lëvizjes së popullsisë dhe aktivitetit intensiv minerar në zonat e prekura.
Ebola është një sëmundje virale shumë e rrezikshme që transmetohet përmes kontaktit me lëngjet trupore të personave të infektuar. Simptomat fillestare përfshijnë ethe, lodhje, dhimbje muskujsh dhe koke, ndërsa në fazat më të rënda shkakton gjakderdhje dhe dështim të organeve.
Shpërthimi më i rëndë i Ebolës në RD të Kongos u regjistrua mes viteve 2018-2020, ku humbën jetën afro 2,300 persona.
(A2 Televizion)