Libani është nyja kritike që mund të hedhë në erë armëpushimin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Izraeli ka vazhduar me bombardimet e fuqishme, në atë që po konsiderohet një ditë dhe natë ferri.
Dënimi i sulmeve më të mëdha të Izraelit në Liban që nga fillimi i luftës është në rritje. Një zëvendësministër i jashtëm Iranian i tha BBC se ato ishin një “shkelje e rëndë” e armëpushimit SHBA-Iran, shkruan A2.
Saeed Khatibzadeh akuzon Izraelin për një “masakër” në Liban, pasi sulmet ajrore vranë 254 persona atje të mërkurën dhe plagosën mbi 1 mijë të tjerë, sipas ministrisë së shëndetësisë. Zyrtari nga Teherani thotë gjithashtu se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet nëse SHBA-të tërheqin “agresionin” e tyre. Irani dhe Pakistani këmbëngulin që Libani është pjesë e marrëveshjes së armëpushimit, por SHBA-ja dhe Izraeli pretendojnë se marrëveshja nuk e mbulon Hezbollahun në Liban. Në këtë betejë fjalësh, presidenti Donald Trump, lëshon një paralajmërim tepër të fortë.
“Të gjitha anijet, avionët dhe personeli ushtarak amerikan, me municione, armë shtesë dhe çdo gjë tjetër që është e përshtatshme dhe e nevojshme për ndjekjen dhe shkatërrimin vdekjeprurës të një armiku tashmë të degraduar në mënyrë të konsiderueshme, do të mbeten aty ku janë brenda dhe përreth Iranit, derisa MARRËVESHJA E VËRTETË do të arrihet dhe zbatohet plotësisht. Nëse për ndonjë arsye nuk zbatohet, gjë që është shumë e pamundur, atëherë Fillojnë të shtënat, më të mëdha, më të mira dhe më të forta se kushdo që ka parë ndonjëherë më parë”, tha Trump, shkruan A2.
Presidenti amerikan përsëriti edhe njëherë se nuk do të lejojë që Irani të ketë armë bërthamore apo që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e mbyllur. “Ushtria jonë e madhe po ngarkohet dhe po pushon, duke pritur me padurim, në fakt, pushtimin e saj të ardhshëm. AMERIKA ËSHTË KTHYER!”, shton më tej Trump në rrjetin social Truth.
Megjithatë, korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit pretendoi se transporti detar përmes Ngushticës kritike të Hormuzit u ndal pas sulmit masiv të Izraelit ndaj Libanit të mërkurën. Ndërkohë, zëvendëspresidenti JD Vance, i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe Jared Kushner do të shkojnë në Islamabad për bisedime që fillojnë të shtunën.
Delegacioni i Teheranit do të mbërrijë në Islamabad të enjten në mbrëmje, tha ambasadori i Iranit në Pakistan. (A2 Televizion)