Irani dënon sulmet në Jemen: SHBA mbështet gjenocidin në Palestinë, nuk duhet të diktojë politikën tonë të jashtme

Nga A2 CNN
16 Mars 2025, 08:39 | Bota

Irani dënon sulmet në Jemen: SHBA mbështet gjenocidin në

Shtetet e Bashkuara nuk kanë të drejtë të diktojnë politikën e jashtme të Iranit. Këtë shkroi sot në "X" ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, në përgjigje të mesazhit të publikuar dje në "Truth" nga Presidenti i SHBA Donald Trump, i cili urdhëroi Teheranin që të ndërpresë menjëherë mbështetjen e tij për Houthis në Jemen.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i ministrisë, Esmail Baghaei, dënoi sulmet. "Agresioni ushtarak përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe ligjit ndërkombëtar, në veçanti ndalimin e përdorimit të forcës dhe respektimin e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial," tha ai. Sulmi "është në përputhje me mbështetjen e tyre të vazhdueshme për 'gjenocidin' e popullit palestinez," shtoi ai.

“Shkaku kryesor i paqëndrueshmërisë në Azinë Perëndimore është pushtimi i vazhdueshëm dhe vrasjet masive në Palestinë, të përjetësuara nga mbështetja e SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Perëndimit, të cilat përbëjnë një kërcënim të paprecedentë për sigurinë rajonale dhe globale”, përfundoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane.

Ndërkohë sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio diskutoi sulmet ajrore të SHBA-së në Jemen me homologun e tij rus Sergei Lavrov, duke theksuar se "sulmet e vazhdueshme të Houthis ndaj anijeve ushtarake dhe tregtare amerikane në Detin e Kuq nuk do të tolerohen", raportoi CNN, duke cituar një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Verën e kaluar, Rusia ishte gati të dorëzonte armë për Houthis, por u tërhoq nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos