Irani dhe Izraeli shënjestruan njëri-tjetrin me raketa dhe sulme ajrore herët të shtunën, pasi Izraeli nisi ofensivën e tij më të madhe ajrore kundër armikut të tij të hershëm, në një përpjekje për ta parandaluar atë të zhvillonte një armë bërthamore.
Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë Izraelin, përfshirë Tel Avivin dhe Jerusalemin, duke i detyruar banorët të nxitonin në strehimore, ndërsa valë të njëpasnjëshme raketash iraniane u përhapën në qiell dhe interceptorët izraelitë u ngritën për t'i pritur.
Një burrë dhe një grua u vranë në Izrael dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga një raketë që ra pranë shtëpive të tyre. Ekipet e shpëtimit po kërkonin rrënojat e ndërtesave të banimit që u shkatërruan në Rishon Lezion, një qytet jashtë Tel Avivit, shkruan A2.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, tha të shtunën se udhëheqja iraniane kishte kaluar një vijë të kuqe duke qëlluar civilët dhe do të "paguajë një çmim të lartë për këtë".
Një raketë e lëshuar nga Jemeni nga milicia Huthi e mbështetur nga Irani, vrau pesë palestinezë, përfshirë tre fëmijë, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze.
Nga ana tjetër në Iran, disa shpërthime u dëgjuan gjatë natës në kryeqytetin Teheran. Agjencia e lajmeve Fars tha se dy predha goditën aeroportin Mehrabad të Teheranit. I dërguari i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, tha se 78 persona, përfshirë zyrtarë të lartë ushtarakë, janë vrarë në sulmet e Izraelit ndaj Iranit dhe më shumë se 320 janë plagosur, shumica prej tyre civilë.
Teherani nisi valë sulmesh ajrore të shtunën pas dy breshërive të premten në mbrëmje, raportoi Fars. Një nga valët shënjestroi Tel Avivin, qendrën tregtare të Izraelit, para agimit të së shtunës, me shpërthime të dëgjuara deri në Jerusalem, thanë dëshmitarët.
Sakaq, Irani ka bërë thirrje se bisedimet midis Iranit dhe SHBA-së në Oman, të planifikuara për të dielën, tani janë "të pakuptimta", sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme iraniane. "Pala tjetër (SHBA-të) ka vepruar në një mënyrë që e bën dialogun të pakuptimtë", tha zëdhënësi. "Nuk mund të pretendosh se dëshiron të negociosh ndërsa njëkohësisht ndan punën duke lejuar regjimin sionist (Izraelin) të sulmojë territorin iranian".
Ushtria amerikane ndihmoi në rrëzimin e raketave iraniane që drejtoheshin drejt Izraelit të premten, thanë dy zyrtarë amerikanë. Ushtria izraelite tha se Irani qëlloi më pak se 100 raketa të premten dhe se shumica u interceptuan ose nuk ia dolën të realizonin. (A2 Televizion)