“Ne i njoftuam amerikanët paraprakisht për sulmin”, Netanjahu në sinkron me Trumpin

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 19:45 | Bota

“Ne i njoftuam amerikanët paraprakisht për sulmin”,

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu në një deklaratë të re për sulmin ndaj Iranit, sqaroi se Tel Avivi i kishte informuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës paraprakisht për planet e tij.

Po ua lë qëndrimin amerikan amerikanëve. Ne i informuam ata paraprakisht. Ata e dinin për sulmin. Çfarë do të bëjnë tani? Ia lë këtë Presidentit Trump. Ai merr vendime në mënyrë të pavarur”, tha Netanjahu.

Ai nuk pranoi të fliste në emër të Trump, por vuri në dukje se presidenti amerikan kishte thënë më parë se Irani nuk mund të ketë armë bërthamore ose kapacitet për të pasuruar uranium.

Faktin se ishte informuar për sulmin para se të realizohej e konfirmoi më herët gjatë ditës edhe vetë Trump. Presidenti amerikan ndër të tjera tha se i kishte dhënë Teheranit më shumë shanse për të arritur një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara mbi programin bërthamor të Iranit, por se ata nuk kishin rënë dakord për marrëveshjen.

Ai gjithashtu kujtoi se e kishte paralajmëruar Iranin se vendndodhjet e objekteve të tij bërthamore do të sulmoheshin nëse nuk arrinte një marrëveshje me SHBA-në.

Në një deklaratë për televizionin ABC, Trump nënvizoi se sulmi i Izraelit ndaj Iranit ishte "i shkëlqyer" dhe se do të ketë sulme të tjera. Kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën pjesë në sulm në ndonjë mënyrë, Trump u përgjigj se nuk donte të komentonte për këtë.

Izraeli nisi sulme ndaj Iranit gjatë natës, duke thënë se kishte në shënjestër objektet bërthamore, fabrikat e raketave balistike dhe komandantët ushtarakë, në një operacion, që tha se kishte për qëllim parandalimin e Teheranit nga zhvillimi i armëve bërthamore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos