Nis hakmarrja iraniane, Teherani godet me raketa Tel Avivin dhe Jeruzalemin

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 21:04 | Bota

Irani nuk e ka vonuar hakmarrjen ndaj Izraelit. Garda Revolucionare njoftoi se ka nisur një sulm me raketa mbrëmjen e sotme drejt dhjetëra objektivave në Izrael.

Ushtria izraelite ka njoftuar se Irani ka lëshuar të paktën 100 raketa drejt vendit të tyre, por sqarojnë se sistemi mbrojtës “Iron Dome” është në funksion dhe i bëjnë thirrje popullit të qëndrojë në strehimore.

Dy valë raketash u lëshuan nga Irani, me shpërthime të forta që janë regjistruar në Tel Aviv, ku u raportuan disa lëndime të lehta, por dhe në Jerusalem.

Përgjigja e Teheranit vjen pasi forcat ajrore izraelite filluan një seri sulmesh në Iran, me shpërthime të dhunshme në Teheran  dhe Tabriz, ku sipas IDF janë goditur më shumë se 200 objektiva.


Hakmarrja jonë sapo ka filluar, ata do të paguajnë një çmim të lartë për vrasjet e komandantëve, shkencëtarëve dhe civilëve tanë. Nuk do të ketë siguri askund në Izrael, hakmarrja jonë do të jetë e dhimbshme”, tha për Reuters një zyrtar i lartë në Teheran.

Irani po ashtu pretendon se në territorin e tyre forcat e Gardës Revolucionare kanë rrëzuar dy avionë izraelitë dhe kanë kapur rob një pilote.

Sipas agjencisë Irna, dy avionë luftarakë izraelitë u rrëzuan, por nuk u specifikua në cilën zonë ndodhi kjo.

Operacioni "Rising Lion", i nisur nga Izraeli, kishte në shënjestër udhëheqësit ushtarakë dhe politikë të Iranit.

Teherani konfirmon vdekjen (ndoshta nga një sulm i shpejtë i Mossadit) të kreut të Gardës Revolucionare Hossein Salami.  Gjenerali i fuqishëm Mohammad Bagheri u vra gjithashtu, ndërsa dy shkencëtarë nga programi bërthamor i Teheranit përfunduan të vdekur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos