Dritan Demiraj, ish-ministër i Brendshëm, në një lidhje direkte me studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, theksoi se Irani ka 40 vite që përgatitet për një konflikt të tillë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani, pavarësisht se nuk kanë qenë të përplasura në mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë rreth 20 vite që përplasen me njëri-tjetrin. Madje, mund të themi lehtësisht që nga viti 1982 me krijimin e Hezbollahut, që ka ekzekutuar një sërë operacionesh terroriste kundër Ambasadës Amerikane, kundër Korpusit të Marinës”, tha Demiraj.
“Ka pasur një nënvlerësim të jashtëzakonshëm nga ana e Izraelit dhe tashmë unë kam guxuar ta them që ditën e parë, siç e deklaroi dhe e vulosi pardje Jozef Kenti, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërterrorizmit, i cili e deklaroi qartazi se ky konflikt filloi i paorganizuar dhe filloi vetëm për interes të Izraelit. Dhe e gjithë kjo luftë që po vazhdon tani është pjesë e narrativës së Netanjahut për shkatërrimin e vendit i cili mbështeste çështjen palestineze. Sa i përket përgatitjes, doktrinës dhe strategjisë ushtarake të Iranit, padiskutim që Irani ka rreth 40 vite që përgatitet për këtë konflikt dhe ajo që kemi parë të paktën këto tre javë nuk është asgjë më tepër se ajo të cilën e kemi paralajmëruar ndoshta 100%, sepse e gjithë përgatitja e luftës e Iranit ka qenë një strategji dhe doktrinë ushtarake asimetrike, për shkak se aftësitë dhe kapacitetet e tij konvencionale, edhe për shkak të superioritetit dhe pasfidueshmërisë teknologjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit vetëm në ajër, bënin të mundur vetëm këtë lloj qasjeje strategjike”, shtoi Demiraj. (A2 Televizion)