Izraeli dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje mbrojtjeje prej 3 miliardë eurosh, sipas së cilës Izraeli do të ndërtojë një sistem të mbrojtjes ajrore me shumë shtresa për Greqinë. Marrëveshja vjen në kohën kur Athina vijon me një program më të gjerë të modernizimit ushtarak.
Ministria e Mbrojtjes e Izraelit deklaroi se kjo ishte marrëveshja më e madhe e eksportit të mbrojtjes e Izraelit me Greqinë dhe një nga më të mëdhatë në historinë e vendit.
Amir Baram, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes të Izraelit, tha se marrëveshja e quajtur "Mburoja e Akilit" pasqyronte "epërsinë teknologjike të Izraelit dhe performancën e dëshmuar të sistemeve tona të mbrojtjes në terren".
Sipas marrëveshjes, Izraeli do t'i furnizojë Greqisë sistemet "David's Sling" dhe "SPYDER", si dhe sistemin "BARAK MX", gjithashtu, do të ofrohen radarë me misione të shumëfishta (MMR) për mbikëqyrjen ajrore, të prodhuar nga "ELTA Systems".
Sistemi "David's Sling" u përdor nga Izraeli për të kapur raketat iraniane gjatë konfliktit me Iranin këtë vit. Greqia bëhet klienti i dytë i këtij sistemi, pas Finlandës.
Greqia shpenzon gati 3,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen, një përqindje më e lartë se ajo e shumë aleatëve të NATO-s, për shkak të mosmarrëveshjes së saj të kahershme me Turqinë fqinje.
Athina planifikon të shpenzojë rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për të ndërtuar sistemin me shumë shtresa "Mburoja e Akilit" - që përfshin mbrojtjen kundër raketave balistike, avionëve dhe dronëve- si dhe për të blerë deri në 40 avionë luftarakë F-35 nga SHBA-ja dhe fregata nga Franca e Italia.
Në kuadër të marrëveshjes së të hënës, Greqia do të pajiset gjithashtu me një sistem të ri kombëtar komandimi dhe kontrolli, të zhvilluar nga "Rafael", për të integruar kapacitetet e mbrojtjes ajrore të vendit. Një marrëveshje shtesë prej 26 milionë eurosh parashikon që Izraeli t'i furnizojë Greqisë sistemet "Drone Dome" të kompanisë "Rafael", për të mbrojtur objektet strategjike nga dronët dhe për të forcuar mbrojtjen ekzistuese.
Izraeli do të zgjerojë gjithashtu bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes me Greqinë, duke përfshirë transferimin e teknologjisë dhe ekspertizës te industria vendase.
(A2 Televizion)