
Kremlini ka hedhur poshtë akuzat e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez, i cili deklaroi se rrjetet ruse dhe izraelite kanë përhapur dezinformata gjatë krizës së emigrantëve në Ceuta. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia nuk ka pasur asnjë rol në nxitjen e krizës dhe i cilësoi të pabazuara pretendimet.
Deklarata vjen pasi Sanchez akuzoi rrjete të lidhura me Rusinë, Izraelin dhe grupime të ekstremit të djathtë për përhapjen e lajmeve të rreme në rrjetet sociale, të cilat sipas tij ndikuan në fluksin masiv të emigrantëve drejt enklavës spanjolle të Ceutës. Rusia dhe Izraeli kanë mohuar kategorikisht këto akuza.
Ai tha se të dy vendet e kishin përdorur krizën për të kritikuar Madridin për shkak të pakënaqësisë me qëndrimin e tij në luftërat në Ukrainë dhe Gaza.
Autoritetet spanjolle kanë thënë se videot në Instagram, TikTok dhe media të tjera sociale përhapin pretendime mashtruese se migrantët që arrijnë në Ceuta nga deti mund të qëndrojnë në Spanjë, duke inkurajuar mijëra njerëz të përpiqen të kalojnë kufirin.
Sipas kryeministrit spanjoll, një hulumtim nga shërbimi diplomatik i BE-së, EEAS, kishte treguar se rrjetet ruse dhe izraelite kishin qenë pas përhapjes së dezinformatave, në bashkëpunim me rrjetet e ekstremit të djathtë.
Më herët Ministri i Jashtëm Izraelit, Gideon Sa'ar, tha në një postim në X, se Sanchez po "gënjente pa turp" kur akuzonte Izraelin për përhapjen e informacionit mashtrues në lidhje me Ceutën, duke e cilësuar këtë një përpjekje për të shpërqendruar vëmendjen nga dështimet e politikës së brendshme.
Kriza në Ceuta shpërtheu në fund të korrikut, kur dhjetëra mijëra emigrantë hynë nga Maroku në territorin spanjoll, duke shkaktuar tensione politike dhe debate të forta në Spanjë dhe në Bashkimin Europian. (A2 Televizion)