
Izraeli dhe Greqia kanë nënshkruar një marrëveshje të re të mbrojtjes me vlerë mbi 3.4 miliardë dollarë, në një kohë kur tensionet në rajon, veçanërisht mes Izraelit dhe Turqisë, janë në rritje.
Marrëveshja, e quajtur “Achilles Shield”, parashikon që Greqia të pajiset me një sistem të integruar dhe shumë-shtresor të mbrojtjes kundër raketave dhe dronëve të prodhuar nga industria izraelite e mbrojtjes.
Sipas Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, kjo është një nga marrëveshjet më të mëdha të eksportit ushtarak në historinë e Izraelit dhe hera e parë që vendi i shet një shteti tjetër një sistem të plotë mbrojtjeje, shkruan A2CNN.
Në paketën e mbrojtjes do të përfshihen sisteme si David’s Sling dhe Spyder, të prodhuara nga kompania izraelite Rafael, si dhe Barak MK, i prodhuar nga Israel Aerospace Industries. Marrëveshja përfshin gjithashtu një sistem të ri kombëtar komandimi dhe kontrolli.
Dy vendet kanë rënë dakord edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, ndërsa një marrëveshje tjetër parashikon furnizimin e Greqisë me sisteme kundër dronëve.
(A2 Televizion)