Italia ka vendosur të zgjasë edhe me 15 ditë pezullimin e pjesshëm të marrëveshjes Schengen me Spanjën, duke ruajtur kontrollet në kufijtë ajrorë dhe detarë për udhëtarët që mbërrijnë nga territori spanjoll. Masa, e cila hyn në fuqi nga 31 gushti, ishte vendosur fillimisht më 1 gusht pas krizës së emigracionit në Ceuta.
Pas vendimit të Romës, edhe qeveria spanjolle e drejtuar nga Pedro Sanchez njoftoi se do të zgjasë për dy javë kontrollet kufitare për pasagjerët që hyjnë në Spanjë nga Italia, duke e cilësuar masën si reciproke.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, deklaroi se zgjatja është bërë për shkak të situatës ende të paqëndrueshme në Ceuta, por u shpreson që kjo të jetë hera e fundit. Sipas tij, autoritetet spanjolle dhe Bashkimi Europian po ndërmarrin hapa për normalizimin e gjendjes.
Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez akuzoi rrjete ruse dhe izraelite për përhapjen e dezinformatave lidhur me situatën në Ceuta. Sipas tij, në rrjetet sociale është përhapur në mënyrë të rreme ideja se emigrantët që hyjnë me not në Ceuta nuk mund të kthehen mbrapsht, gjë që ai e mohoi.
Tensionet në enklavën spanjolle në Afrikën e Veriut vazhdojnë. Në Ceuta janë regjistruar përplasje mes emigrantëve pranë një qendre pritjeje, pasi qindra persona tentuan të hynin njëkohësisht. Policia ndërhyri me forca të shumta dhe qëlloi në ajër për të shpërndarë turmën. (A2 Televizion)