Kanë kaluar zyrtarisht dy muaj që nga nisja e luftës së Izraelit për zhdukjen e Hamasit në Gaza dhe ekspertët paralajmërojnë se fundi nuk po duket askund në horizont. Megjithatë, parashikojnë një ulje të intensitetit të operacioneve nga ana e shtetit hebre për shkak të presionit ndërkombëtar.
Kjo video e luftimeve të Hamasit kundër trupave izraelite, të publikuara nga grupimi militant, tregon jo vetëm sa intensive janë betejat, por është dhe një mesazh propagande nga Hamas, se ata ende po rezistojnë kur kanë kaluar 2 muaj nga kjo luftë. Qëllimi i shpallur nga Izraeli për zhdukjen e Hamasit, i ka shtyrë trupat drejt Khan Younis, ku ata besojnë se gjenden shumica e liderëve të Hamas, përfshirë zyrtarin më të lartë të militantëve në Gaza, Yahya Sinwar, i cili qëndron në fushën e betejës. Mohammed Deif, udhëheqësi në hije i krahut ushtarak të Hamas, gjithashtu raportohet se është ende gjallë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu pretendon se forcat izraelite kanë rrethuar shtëpinë e Sinwar, edhe pse ushtria beson se ai po fshihet në nëntokë. Dy muaj pasi Hamasi ndërmori sulmin me vdekjeprurës në historinë e Izraelit, reagimi i shtetit hebre solli një katastrofë kolosale humanitare. Ekspertë dhe zyrtarë thonë se Hamas është dëmtuar, por Izraeli është ende larg përmbushjes së qëllimeve.
“Ushtria është ngarkuar me detyrën të çaktivizojë Hamasin si një kërcënim ushtarak për popullin izraelit duke vrarë terroristët, duke shkatërruar infrastrukturën dhe duke arritur përfundimisht në kapjen e udhëheqjes së Hamasit”, u shpreh Ofer Shelah, ish-anëtar i Parlamentit Izraelit.
Kjo përpjekje është ende në zhvillim e sipër… Ushtria izraelite publikoi këtë imazh të liderëve të brigadës së veriut në Gaza, duke shënuar 5 komandantë të Hamas të vrarë në një tunel. Izraeli pretendon se ka vrarë edhe udhëheqës të tjerë të Hamas, po ashtu edhe mijëra militantë, që është vetëm një pjesë e 30 mijë luftëtarëve që posedon grupimi në total.
“Mendoj se ka pasur disa suksese, por besoj se do të ketë ende shumë më tepër luftime tokësore. Mendoj se ju do të shihni gjatë javëve të ardhshme më shumë shënjestrim të saktë të udhëheqësve të Hamasit”, deklaroi Mark Schwartz, ish-ushtarak, koordinator i SHBA-së për Izraelin dhe Palestinën.
Në muajin e ardhshëm dhe në vijim, zyrtarët amerikanë thonë se Izraeli pret që të ulë intensitetin e operacioneve, të cilat kanë vrarë mijëra civilë, shumë prej tyre fëmijë, dhe ka detyruar zhvendosjen e rreth 85 për qind të popullatës së Gazës. Izraeli has në presion ndërkombëtar dhe po i dëgjon thirrjet globale për një armëpushim, por insiston se ende ka shumë rrënjë të Hamasit për të shkulur, përpara përdorimit të diplomacisë.
“Po arrijmë në një pikë kthese ku pyetja kryesore nuk do të jetë më sa njerëz vrasim. Do të jetë ajo që do të ndodhë në Gaza, në mënyrë që situata atje të bëhet ndryshe dhe që asgjë si Hamasi të mos lindë përsëri, si një kërcënim ushtarak kundër Izraelit”, deklaroi Shelah. (A2 Televizion)