
Tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm këtë të mërkurë, pasi Ushtria e Izraelit njoftoi se ka ndërmarrë një valë të gjerë sulmesh ajrore në Libani.
Sipas deklaratës zyrtare, mbi 100 objektiva të lidhura me Hezbollah janë goditur në Bejrut, në Luginën e Bekaa dhe në jug të vendit, brenda vetëm 10 minutash.
Autoritetet libaneze raportojnë një bilanc të rëndë. Ministri i Shëndetësisë bëri të ditur se të paktën 89 persona kanë humbur jetën dhe mbi 700 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve.
Sipas raportimeve të Al Jazeera, goditjet ajrore kanë prekur zona të dendura urbane, përfshirë ndërtesa banimi, xhami dhe automjete. Në disa zona të Bejrutit, ekipet e shpëtimit vijojnë operacionet nën rrënoja, ndërsa një ndërtesë në lagjen Corniche al-Mazraa raportohet se është shkatërruar plotësisht.
Sulmet janë shtrirë edhe në qytetet bregdetare të Tiros dhe Sidonit, si dhe në zona të tjera në lindje të vendit. Burime lokale raportojnë se një sulm ajror gjatë një ceremonie mortore në Libanin lindor ka shkaktuar 10 viktima, ndërsa të tjera humbje jete janë shënuar në disa qytete të ndryshme. (A2 Televizion)