Ushtria izraelite ka konfirmuar fillimin e ofensivës tokësore në Qytetin e Gazës. Pas urdhrit nga qeveria, trupat izraelite "kanë zgjeruar operacionin tokësor në fortesën e Hamasit, Qytetin e Gazës", deklaroi një zëdhënës i ushtrisë. Ky është një "manovër graduale" në të cilën janë përfshirë edhe forca ajrore. Objektivi është të eliminohet Hamasi në këtë zonë.
Nën qytet shtrihet një rrjet i gjerë tunelesh nëntokësore të Hamasit, shpjegoi zëdhënësi i ushtrisë. Izraeli vlerëson se ka midis 2.000 dhe 3.000 luftëtarë të Hamasit në Gaza.
Ushtria izraelite siguroi se do të bëhet gjithçka e mundur për të siguruar sigurinë e 48 pengjeve dhe civilëve të mbetur në Gaza. Rreth 40% e civilëve, më shumë se 350.000 njerëz, janë larguar tashmë nga qyteti.
Hamasi konsiderohet një organizatë terroriste nga Izraeli dhe shumë vende të tjera. Sulmi i tij i pashembullt ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 shkaktoi luftën në Rripin e Gazës.
Ministri i Mbrojtjes: "Gaza është në flakë"
Sipas Ministrit të Mbrojtjes Israel Katz, vendi i tij po vepron "me grusht të hekurt" kundër "infrastrukturës terroriste" në Rripin e Gazës. "Gaza po digjet", shkroi Katz në platformën online X. Ushtarët po luftonin "për të krijuar kushtet e nevojshme për lirimin e pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit". Izraeli "nuk do të tërhiqet derisa misioni të përfundojë". KryeministriBenjamin Netanyahu foli për një "operacion intensiv" në Gaza.
Sulme "të pandërprera” izraelite
Ushtria izraelite intensifikoi ndjeshëm sulmet e saj ndaj Gazës gjatë natës duke gdhirë e marta. Të shoqëruara nga zjarri i artilerisë, avionët luftarakë izraelitë nisën sulme pothuajse të pandërprera dhe intensive, raportoi agjencia palestineze e lajmeve Wafa.
Wadephul: "Një drejtim krejtësisht i gabuar”
Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul i dënoi veprimet e Izraelit. "Ofensiva e re kundër Qytetit të Gazës është... një drejtim krejtësisht i gabuar”, deklaroi ai pas një takimi me homologen e tij suedeze, Maria Malmer Stenergard, në Berlin. "Ne e hedhim poshtë këtë dhe ia kemi bërë të qartë qeverisë izraelite.”
Qeveria gjermane i bën një "apel urgjent” qeveriaë izraelite dhe të gjithë atyre që janë në kontakt me Hamasin "që tani të kërkojnë rrugën drejt negociatave për armëpushim dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve”, theksoi Wadephul. "Kjo është tani rruga e duhur, dhe jo një vazhdim ushtarak i konfliktit.”
Komisioni i OKB-së denoncon gjenocidin
Ndërkohë, një komision hetimor i Këshillit të të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara akuzoi Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Rripin e Gazës. Komisioni, i kryesuar nga juristja jugafrikane Navi Pillay në Gjenevë, zbuloi se katër nga pesë kërkesat e përmendura në konventën përkatëse të OKB-së ishin përmbushur.
Ambasadori i Izraelit në Gjenevë, Daniel Meron, e quajti raportin skandaloz dhe deklaroi: "Izraeli e hedh poshtë kategorikisht këtë tiradë shpifëse". Meroni kritikoi veçanërisht që komisionit për të përmendur aktet terroriste të Hamasit.
Ashtu si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Izraeli nuk e njeh autoritetin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së. Ai përbëhet nga 47 vende, secili i zgjedhur për tre vjet nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së./ DW (A2 Televizion)