Izraeli ka arritur të marrë trupat e gjashtë izraelitëve, nga zona e Khan Younis në jug të Gazës. Të gjashtë pengjet izraelite janë të vdekur. Lajmi është konfirmuar nga zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu.
Ushtria izraelite tha se operacioni u krye me ndihmën e informacionit nga shërbimet e inteligjencës izraelite, por nuk dha detaje të mëtejshme. Ushtria izraelite kishte njoftuar më parë publikisht se pesë nga pengjet besohej të ishin të vdekur dhe trupat e tyre mbaheshin nga Hamasi në Gaza.
“Shteti i Izraelit do të vazhdojë të bëjë çdo përpjekje për të kthyer të gjithë të rrëmbyerit tanë, të gjallë dhe të vdekur”, kështu shkroi kryeministri Benjamin Netanyahu në rrjetet sociale, pasi konfirmoi se ushtria kishte gjetur trupat e gjashtë pengjeve të rrëmbyer nga Hamasi më 7 tetor.
"Zemrat tona dhembin për humbjen e tmerrshme", - shtoi ai. "Gruaja ime Sara dhe unë dërgojmë ngushëllimet tona nga thellësia e zemrës për familjet e dashura. Dëshiroj të falënderoj ushtarët dhe komandantët e guximshëm të ushtrisë për guximin dhe veprimin e tyre të vendosur”.
Operacioni i rimëkëmbjes nënvizon rreziqet për Netanyahun pasi ai përballet me presion brenda dhe jashtë Izraelit për të arritur një marrëveshje armëpushimi me Hamasin. Anëtarët e familjeve të pengjeve izraelite kanë zhvilluar protesta të rregullta duke kërkuar një marrëveshje që do t'i sillte pengjet në shtëpi dhe duke bërë thirrje për rrëzimin e qeverisë së Netanyahut – ndërsa partnerët e koalicionit të ekstremit të djathtë të kryeministrit përpiqen të shmangin çdo marrëveshje që do t'i jepte fund luftës kundër Hamasit.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Lindjen e Mesme këtë javë duke u përpjekur të sigurojë një armëpushim dhe marrëveshje për kthimin e pengjeve midis Izraelit dhe Hamasit.
Ndërkohë forcat ajrore izraelite nisën një sulm ndaj "terroristëve që vepronin brenda një qendre komandimi dhe kontrolli të Hamasit" të fshehur brenda një kompleksi shkollor në qytetin e Gazës, e cila pritet të minojë përpjekjet për paqe. (A2 Televizion)