Izraeli reagon ashpër pas njohjes së Palestinës nga Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia

Nga A2 CNN
21 Shtator 2025, 17:48 | Bota

Izraeli reagon ashpër pas njohjes së Palestinës nga Kanadaja,

Izraeli ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Australisë për të njohur shtetin palestinez, duke e cilësuar atë si një “shpërblim për Hamasin”.

Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme izraelite në platformën “X”, thuhet: “Njohja nuk është gjë tjetër veçse një shpërblim për Hamasin xhihadist – të inkurajuar nga Vëllazëria Myslimane e lidhur me të në Mbretërinë e Bashkuar. Vetë udhëheqësit e Hamasit e pranojnë hapur: kjo njohje është një rezultat i drejtpërdrejtë, ‘fryti’ i masakrës së 7 tetorit. Mos lejoni që ideologjia xhihadiste të diktojë politikën tuaj.”

Megjithatë, kryeministri britanik, Keir Starmer, theksoi se kjo lëvizje nuk duhet të shihet si një shpërblim për Hamasin.

Starmer deklaroi se ka takuar familjet britanike të pengjeve të mbajtura nga Hamas në Gaza dhe ka parë nga afër “dhimbjen dhe torturën që ata përjetojnë çdo ditë”. Ai u bëri thirrje për lirimin e menjëhershëm të tyre, duke shtuar se “ne do të vazhdojmë të luftojmë për t’i sjellë ata në shtëpi”.

Duke folur për procesin e paqes, kryeministri britanik theksoi se kërkesa për një zgjidhje me dy shtete është “e kundërta e vizionit plot urrejtje të Hamasit”, shkruan A2 CNN.

“Ky vendim nuk është shpërblim për Hamasin,” u shpreh Starmer, duke sqaruar se njohja e Palestinës do të thotë se Hamas nuk mund të ketë të ardhme, as rol në qeverisje dhe as në çështjet e sigurisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos