Izraeli vret 65 civilë në Gaza, Trump insiston se armëpushimi qëndron

Nga A2 CNN
29 Tetor 2025, 07:25 | Bota

Izraeli vret 65 civilë në Gaza, Trump insiston se armëpushimi

Të paktën 65 palestinezë, përfshirë gra e fëmijë, u vranë të martën në mbrëmje gjatë sulmeve ajrore izraelite në disa zona të Rripit të Gazës.

Sulmet u kryen pasi Izraeli akuzoi Hamasin për shkelje të armëpushimit, duke përfshirë një sulm në Rafah që vrau një ushtar izraelit. Hamasi mohoi përfshirjen, duke thënë se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes së paqes.

Ministri izraelit i mbrojtjes, Yoav Katz tha se Hamasi kishte kaluar vijën e kuqe dhe paralajmëroi se do të paguajë shumëfish për sulmin.

Dëshmitarët tregojnë se bombardimet goditën shtëpi, shkolla dhe blloqe banimi në qytetin e Gazës, Beit Lahia, Bureij, Nuseirat dhe Khan Younis. Ekipet e shpëtimit paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet, pasi shumë persona janë ende nën rrënoja.

Shtëpia e Bardhë reagoi duke kërkuar përmbajtje. Presidenti Donald Trump tha se asgjë nuk do të rrezikojë armëpushimin, por shtoi se Izraeli ka të drejtë të kundërsulmojë kur ushtarët e tij sulmohen.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA, Egjipti, Katari dhe Turqia kishte nisur më 10 tetor dhe parashikonte shkëmbimin e pengjeve dhe trupave mes dy palëve. Deri tani janë liruar 20 pengje izraelite dhe qindra të burgosur palestinezë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, më shumë se 68,500 persona janë vrarë që nga nisja e luftës në tetor 2023. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos