Protesta te Ministria e Arsimit, policia tërheq zvarrë dhe prangos protestuesin

Nga A2 CNN
13 Tetor 2026, 16:38 | Aktualitet

Vijojnë përplasjet mes protestuesve dhe policisë në Tiranë. A2 CNN raporton se efektivët kanë shoqëruar disa protestues, ndërsa njëri prej tyre është tërhequr zvarrë dhe prangosur, teksa qëndronte i shtrirë në asfalt.

“Siç mund të shihet ka momente edhe dhune ndaj protestuesit i cili qëndron i shtrirë ë në asfalt. Po prangoset në këto momente”, raportoi gazetari i A2 CNN Anesti Bajramemaj.

Nga ana tjetër, protestuesit vijojnë të hedhin gurë dhe sende të tjera drejt efektivëve të policisë, ndërsa kjo e fundit po përdor gaz lotsjellës dhe autobotë me ujë për shpërndarjen e turmës. Gazi lotsjellës ka mbuluar një pjesë të konsiderueshme të zonës, përfshirë fillimin e Rrugës së Durrësit dhe zonën drejt sheshit Skënderbej, ndërsa raportohet edhe për efektivë të lënduar.

“Ka një tërheqje tashmë nga forcat e policisë. Duket se perimetri i tyre për të shkuar edhe me mjetin ujë hedhës apo me gazlotsjellës është deri në fillim të rrugës së Durrësit. Nuk po tentojnë më tej për të shpërndarë qytetarët, por deri këtu kanë vepruar në disa raste policët ditën e sotme. Ndërkohë nga protestuesit po vijohet të goditet në mënyrë të herëpashershme me gurë, me mjete të tjera, me çfarë mund ata të gjejnë në rrugën e Durrësit”, raportoi gazetari Anesti Bajramemaj për Ditarin me Pandi Gjatën në A2 CNN.

Protesta te Ministria e Arsimit, policia tërheq zvarrë dhe prangos

Në terren janë angazhuar dy mjete ujëhedhëse dhe dhjetëra efektivë policie. Protestuesit, mes të cilëve studentë, gjimnazistë dhe qytetarë, vijojnë të qëndrojnë në zonën e Rrugës së Durrësit dhe në drejtim të rrugës “Mine Peza”.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dënuar atë që e cilëson dhunë policore ndaj qytetarëve, duke u bërë thirrje efektivëve të ndalojnë veprimet e dhunshme.

Pas disa ndërhyrjeve dhe tërheqjeve, forcat e policisë janë spostuar sërish në drejtim të Ministrisë së Arsimit, aty ku nisi protesta, ndërsa situata vijon të mbetet e tensionuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos