NATO nuk ka ndërmend të dërgojë trupa ushtarake në Ukrainë. Është Sekretari i Përgjithshëm i aleancës ushtarake, Jens Stoltenberg, që e pohon diçka të tillë.
Duke folur gjatë një konference për shtyp në Helsinki së bashku me presidentin finlandez, Alexander Stubb, Stoltenberg theksoi se aleatët mund ta demonstrojnë mbështetjen e tyre për Ukrainën në mënyra të ndryshme. Sipas Stoltenberg, NATO nuk përballet me ndonjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak, pasi Kremlini mbetet i fokusuar tek lufta në Ukrainë.
Ai tha se aleatët duhet të sigurohen që mos përsëriten më boshllëqet në sigurimin e ndihmave ushtarake për Ukrainën.
“NATO nuk ka ndërmend të pozicionojë forca në Ukrainë, ne po fokusohemi në mënyrën se si mund të krijojmë një kornizë më të fortë mbështetjeje me një sistem ndihme të institucionalizuar. Gjatë muajve të fundit ne kemi parë disa boshllëqe, disa vonesa në ofrimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, ne duhet të sigurohemi që kjo të mos ndodhë më.”
Nevoja për koordinim më të shpejt të mbështetjes ushtarake ndaj Ukrainës është përforcuar edhe nga Kancelari gjerman, Olaf Scholz. Gjatë fjalës në Bundestagun gjerman, Scholz, riafirmoi të drejtën e Ukrainës për t'u mbrojtur duke përdorur armët më të fundit perëndimore.
Komentet e Scholz erdhën pasi presidenti rus Vladimir Putin të mërkurën paralajmëroi se lejimi i Kievit për të goditur Rusinë me armë gjithnjë e më të fuqishme ishte një përshkallëzim serioz që po e tërheq Perëndimin drejt një lufte me Rusinë. (A2 Televizion)