
Byroja Federale e Investigimit po heton ish-zyrtarin kryesor të kundërterrorizmit të Donald Trump, Joe Kent, lidhur me rrjedhje të dyshuara të informacionit të klasifikuar, sipas burimeve të cituara nga CBS News.
Sipas raportimeve, hetimi ndaj Kent kishte nisur përpara largimit të tij nga posti i drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kundërterrorizmit në SHBA.
Duke njoftuar dorëheqjen të martën, Kent deklaroi se nuk mund ta mbështeste luftën në Iran “me ndërgjegje të pastër”, duke shtuar se vendi “nuk përbënte një kërcënim të menjëhershëm” për SHBA-të, një pretendim që u hodh poshtë nga Shtëpia e Bardhë.
Byroja refuzoi të komentojë mbi çështjen, ndërsa një burim tha se hetimi po zhvillohet prej disa kohësh nga divizioni kriminal i agjencisë.
Pas dorëheqjes, ish-zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Taylor Budowich, deklaroi se Kent ishte “shpesh në qendër të rrjedhjeve të sigurisë kombëtare”, pa dhënë detaje konkrete. Ai gjithashtu e akuzoi Kent se kishte punuar për të minuar zinxhirin e komandës dhe për të dobësuar presidentin.
Në letrën e dorëheqjes drejtuar Donald Trump, Kent shkroi se ishte “e qartë” që lufta në Iran kishte nisur “për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobet e tij të fuqishme në SHBA”.
Në një intervistë me podkasterin e djathtë Tucker Carlson, Kent përsëriti pretendimin se vendimi për të sulmuar Iranin ishte udhëhequr nga Izraeli. Ai shtoi se nuk kishte informacione që të tregonte për një sulm të afërt nga Irani ndaj SHBA-së dhe se Teherani nuk ishte pranë sigurimit të armëve bërthamore.
Kent gjithashtu pretendoi se disa vendimmarrës kyç kishin pasur akses të kufizuar te presidenti para luftës dhe se nuk kishte pasur një debat të gjerë përpara sulmeve.
Pas dorëheqjes, Shtëpia e Bardhë i hodhi poshtë pretendimet e tij, duke deklaruar se presidenti kishte “prova bindëse” se Irani po përgatitej të sulmonte i pari.
Më vonë, Donald Trump reagoi duke e cilësuar Kent si “një njeri të mirë”, por shtoi se largimi i tij nga qeveria ishte “një gjë e mirë”, duke e konsideruar atë “shumë të dobët për çështjet e sigurisë”.
Joe Kent, një mbështetës i hershëm i Trump, ishte emëruar në këtë post në fillim të administratës dhe u konfirmua në korrik 2025. (A2 Televizion)