
Zëdhënësi i Gardës Revolucionare është vrarë gjatë sulmeve të natës të kryera bashkërisht nga SHBA-ja dhe Izraeli, në atë që konsiderohet si një tjetër goditje ndaj zyrtarëve të lartë që nga fillimi i luftës.
Ali Mohammad Naini, gjeneral brigade 68-vjeçar që kishte marrë rolin e zëdhënësit në vitin 2024, “ra dëshmor në një sulm kriminal, frikacak dhe terrorist nga pala amerikano-zioniste në agim”, thuhet në deklaratën e IRGC të premten. Vdekja e tij erdhi vetëm disa orë pasi ai ishte shfaqur në televizionin kombëtar, duke këmbëngulur se Irani ruante kapacitet të plotë për prodhimin e raketave, edhe në kushte lufte.
“Industria jonë e raketave meriton notë maksimale dhe nuk ka asnjë shqetësim në këtë drejtim, sepse edhe në kushte lufte ne vazhdojmë prodhimin,” citohet të ketë thënë ai nga agjencia Fars News.
Të enjten, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se “Irani nuk ka më kapacitet për pasurimin e uraniumit dhe prodhimin e raketave balistike”. Ushtria izraelite bëri të ditur të premten se po kryente sulme në pjesën lindore të Teheranit, ndërsa vendi po shënon Novruzin, që këtë vit përkon me Eid al-Fitr.
Vrasja e Nainit është pjesë e një serie atentatesh të profilit të lartë që kanë goditur strukturën shtetërore të Iranit në më pak se tre javë.
Udhëheqësi suprem Ali Khamenei u vra në orët e para të fushatës ushtarake të përbashkët dhe është zëvendësuar nga djali i tij, Mojtaba Khamenei. Më herët gjatë javës, Ali Larijani, sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, u vra në një sulm së bashku me djalin dhe disa ndihmës të tij. Gjithashtu u konfirmua vdekja e komandantit të forcave paraushtarake Basij, Gholamreza Soleimani, dhe ministrit të Inteligjencës, Esmail Khatib, brenda të njëjtave 48 orë.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se “askush në botë nuk dëshiron aktualisht një rol drejtues në IRGC apo Basij”, ndërsa zyrtarë të tjerë amerikanë sugjeruan se objektivat e SHBA-së dhe Izraelit nuk janë plotësisht të njëjta.
Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, tha se objektivat ndryshojnë: Izraeli është fokusuar në goditjen e lidershipit iranian, ndërsa qëllimi i Donald Trump është shkatërrimi i kapaciteteve raketore balistike dhe flotës detare të Iranit.
Benjamin Netanyahu i ka cilësuar këto vrasje si një mënyrë për t’u hapur rrugë iranianëve që të rimarrin kontrollin e vendit të tyre, duke theksuar se kjo nuk do të ndodhë menjëherë, por kërkon kohë dhe këmbëngulje.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se SHBA-ja dhe Izraeli nuk e kanë kuptuar ende që struktura politike e Iranit nuk varet nga një individ i vetëm.
“Prania apo mungesa e një personi të vetëm nuk ndikon në këtë strukturë,” u shpreh ai. (A2 Televizion)