
Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, ka penguar miratimin e paketës së ndihmave për Ukraina në samitin e krerëve të Bashkimit Europian në Bruksel, duke bërë që deklarata e përbashkët e takimit të mos nënshkruhet.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, dhe liderë të tjerë nuk arritën ta bindin Orbanin të heqë veton mbi ndihmat financiare miliardëshe për Ukrainën, e cila po përballet me agresionin rus. Bisedimet përfunduan në orët e vona të mbrëmjes, pa gjetur një zgjidhje për këtë ngërç.
Orban, i cili po lufton për një mandat tjetër qeverisës në Hungari, këmbëngul se do të tërheqë veton vetëm kur vendi i tij të marrë sërish furnizime me naftë ruse përmes tubacionit “Druzhba”. Ai argumenton se pa këtë naftë, ekonomitë familjare dhe ndërmarrjet hungareze do të përballeshin me një kolaps.
“Pozicioni i Hungarisë është shumë i thjeshtë. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim Ukrainën kur të marrim naftën tonë. Dhe nafta jonë është bllokuar pikërisht nga ata,” tha Orban.
Diplomatët e kanë kritikuar Orbanin pas dyerve të mbyllura, duke vënë në dukje se ai kishte miratuar tashmë planin e ndihmave për Ukrainën deri në 90 miliardë euro në samitin e dhjetorit 2025. Merz publikisht theksoi se parimi i punës në BE është besnikëria dhe besueshmëria, që duhet të respektohet nga të gjitha shtetet anëtare.
Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme po rriten, pas sulmeve ndaj impianteve të gazit në Iran dhe Katar. Krerët e BE-së ranë dakord të kërkojnë ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe ujore, duke bërë thirrje për uljen e tensioneve, mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare. (A2 Televizion)