Ka kaluar një krizë respiratore, gjendja shëndetësore e Papa Françeskut vazhdon të jetë kritike

Nga A2 CNN
23 Shkurt 2025, 09:03 | Bota

Gjendja e Papa Françeskut vazhdon të jetë “kritike” pasi pësoi një "krizë të zgjatur të frymëmarrjes të ngjashme me astmën”.

Këtë e konfirmoi Vatikani. Papa është “më keq se një ditë më parë” dhe ka marrë transfuzion gjaku, thuhet në deklaratë, shkruan A2 CNN.

Vatikani bën me dije se 88-vjeçari ishte i vetëdijshëm, por kërkonte një “fluks të lartë” oksigjeni dhe prognoza e tij "mbetet e ruajtur".

Papa po trajtohet për pneumoni në të dy mushkëritë në spitalin Gemelli në Romë. Transfuzioni i gjakut u konsiderua i nevojshëm për shkak të një numri të ulët të trombociteve, që lidhet kryesisht me aneminë, tha Vatikani.

“Gjendja e Atit të Shenjtë mbetet kritike. Papa nuk është jashtë rrezikut”, thuhet në një deklaratë, shkruan A2 CNN.

Kardinali Pietro Parolin ka nxjerrë një deklaratë për të adresuar disa zëra që po përhapeshin për një dorëheqje të mundshme të Papa Françeskut.

“Gjithçka më duket si spekulim i kotë. Tani po mendojmë për shëndetin e Atit të Shenjtë, shërimin e tij, kthimin e tij në Vatikan: këto janë të vetmet gjëra që kanë rëndësi”, nënvizoi kardinali. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos