
Ish-zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ka deklaruar se po mendon mundësinë për të kandiduar për presidente në zgjedhjet e vitit 2028, duke mos e përjashtuar këtë opsion.
Gjatë një aktiviteti të zhvilluar në National Action Network në New York, ajo u pyet drejtpërdrejt nga Rev. Al Sharpton nëse planifikon të hyjë sërish në garën presidenciale.
“Po, mund ta bëj,” tha Harris. “Po e mendoj këtë.”
Këto deklarata konsiderohen ndër më të drejtpërdrejtat e saj deri tani lidhur me një rikandidim të mundshëm, ndërsa në sallë u dëgjuan edhe thirrje nga mbështetësit që ajo të “kandidojë sërish”.
Harris theksoi se përvoja e saj si zëvendëspresidente i ka dhënë një kuptim të qartë mbi përgjegjësitë e postit më të lartë në vend dhe se çdo vendim i saj do të bazohet në atë që është më e mira për qytetarët amerikanë.
Ajo kritikoi gjithashtu gjendjen aktuale politike në SHBA, duke thënë se “status quo-ja nuk po funksionon” dhe se qytetarët kërkojnë më shumë progres dhe më pak burokraci në qeverisje.
Në fjalën e saj, Harris u ndal edhe te politika e jashtme e administratës aktuale, duke e kritikuar qasjen e saj ndaj konfliktit me Iranin dhe duke pretenduar se veprimet e ndërmarra kanë sjellë pasoja për ushtarët amerikanë dhe ekonominë.
Shtëpia e Bardhë nuk ka reaguar menjëherë ndaj këtyre deklaratave.
Harris humbi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ndaj Presidentit Donald Trump, pasi ishte bërë kandidate e Partisë Demokratike pas tërheqjes së Presidentit Joe Biden nga gara. (A2 Televizion)