Shtetet e Bashkuara mbeten një aleat për Evropën, këmbënguli të dielën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas vendimit të Uashingtonit për të ndërprerë ndihmën për Ukrainën.
Por zyrtarja më e lartë e BE-së zgjodhi të mos e përfshijë SHBA-në në një listë të vendeve "më të cilët ndajnë të njëjtën mendje,” me të cilat ajo tha se Evropa mund të zhvillojë partneritete më të thella, siç mund të jetë Kandaja, Norvegjia dhe Britania e Madhe.
Në vazhdën e vendimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump për ta ndalur ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e inteligjencës me Kievin, shefja e Komisionit Evropian u pyet vazhdimisht nga gazetarët nëse ajo e konsideronte Amerikën, si dhe administratën Trump, të jenë ende mes aleatëve të vendeve evropiane.
“Pozicioni im është i qartë: Shtetet e Bashkuara janë një aleat në aleancën transatlantike”, tha von der Leyen në konferencën për shtyp që shënonte 100 ditët e para të mandatit të saj të dytë në detyrë.
Politikanja gjermane insistoi gjithashtu se marrëdhënia e Evropës me SHBA-në ishte "krejtësisht e ndryshme" nga ajo me Kinën, duke lënë mënjanë nevojën për "të mos rrezikuar" me Shtetet e Bashkuara.
Por von der Leyen, e cila ende nuk është takuar personalisht me Trumpin që kur ai u betua më 20 janar, vuri në dukje një sërë problemesh në çështjet botërore që mund të lidhen me veprimet e Trump, pa përmendur presidentin e SHBA ose vendin e tij.
“Ne shohim se sovraniteti, por edhe angazhimet e hekurta janë vënë në pikëpyetje”, tha ajo, duke shtuar se “gjithçka” ishte bërë “transaktive”.
Von der Leyen nënvizoi shtytjen e re të BE-së për të shpenzuar rreth 800 miliardë euro në industrinë e saj të mbrojtjes, duke thënë se pjesa e pajisjeve ushtarake me burim nga Evropa do të duhet të rritet "gradualisht".
(A2 Televizion)