Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës i kanë dhënë mbështetje protestës së 14 shtatorit që do të mbahet në Hagë si shprehje e pakënaqësisë ndaj Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Në një konferencë për media të enjten, nga kjo organizatë thanë se Gjykata Speciale është duke prekur vlerën më të shenjtë të popullit shqiptar dhe po lufton edhe shtetësinë e Kosovës.
“Të gjitha partitë pa dallim bindje politike, ideologjike dhe të gjithë komunitetin shqiptar pa dallim feje që të marrin pjesë në Hagë. Aty gjykohet shteti, aty gjykohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe jo individi”, shprehet Hysni Gucati, OVL UÇK.
Për këtë protestë u kërkua mbështetja edhe e Tiranës dhe Shkupit në përpjekje për të çuar mesazhe të institucionet ndërkombëtare për padrejtësitë e Gjykatës Speciale.
“Mendoj se edhe kjo protestë fuqishëm do t’i tregojë, edhe Parlamentit Europian, edhe Këshillit të Europës por edhe institucioneve të drejtësisë dhe politikës ndërkombëtare që po kërkojnë veprim sepse atje në emër të drejtësisë po ndodh padrejtësia”, thotë Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve.
Organizatorët thanë se do të organizohet transporti me autobusë nga qytete të ndryshme europiane drejt Hagës si përgjigje e interesimit të madh për të marr pjesë në këtë protestë.
“Kemi interesim të madh të mërgatës gjithandej diasporës nga Amerika, nga Australia e largët edhe Europa që më 14 shtator të jemi të gjithë të bashkuar dhe është koha e fundit që të jemi bashkë dhe t’ju tregojmë që lufta jonë ka qenë e drejtë”, shprehet Fatmir Koci, organizator i protestës.
Protesta do të mbahet një ditë para se të fillojnë dëshmitë e tyre dëshmitarët e mbrojtjes së Hashim Thaçit në procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020. (A2 Televizion)