Interi ka gjetur menjëherë zëvendësuesin e Kristjan Asllanit, i cili sapo është transferuar tek Torino. Klubi zikaltër po synon transferimin e Andy Diouf, mesfushorin 22-vjeçar të Lens, për të forcuar repartin në ditët e fundit të merkatos.
Diouf, i ndjekur edhe nga Napoli, vlerësohet rreth 25 milionë euro nga klubi francez. Napoli kishte ofruar 20 milionë, por oferta u refuzua. Interi, që ka punuar në heshtje, është i gatshëm të arrijë shifrën e kërkuar me anë të bonusave. Drejtori sportiv Ausilio është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e lojtarit dhe po punon për të mbyllur marrëveshjen për pagën.
I ardhur te Lens në vitin 2023, Diouf ka grumbulluar 68 paraqitje në dy sezone, duke shënuar dy gola dhe dhënë dy asist. Ai njihet për shpërthimet e tij dhe lojën një kundër një, duke garantuar fizik dhe dinamikë në mesfushë.
Nëse marrëveshja mbyllet me sukses, Diouf pritet të mbërrijë në Milano brenda së premtes, duke u bërë përforcimi i ri i mesfushës së Interit pas largimit të Asllanit. (A2 Televizion)