Parlamenti gjerman miratoi një ligj të ri dhe të debatueshëm për shërbimin ushtarak, me synimin për të rritur numrin e trupave të Bundeswehr-it dhe për të përmbushur objektivat e NATO-s, mes kërcënimeve në rritje nga Rusia.
Ligji, i cili u votua pas muajsh debatesh të ashpra, krijon një sistem me dy pista: një shërbim vullnetar më të favorshëm ekonomikisht për të tërhequr të rinjtë, dhe një skemë të mundshme rekrutimi me detyrim, që do të vihet në zbatim vetëm nëse regjistrimet vullnetare nuk mjaftojnë.
Aktivizimi i saj kërkon një votim të veçantë në Bundestag dhe, në rast se numri i personave të përshtatshëm është më i madh se nevoja, përzgjedhja mund të bëhet me short. Projektligji vendos objektiva shumë ambicioze për zgjerimin e Bundeswehr-it: deri në 260 mijë ushtarë aktivë, nga 183 mijë që janë aktualisht, dhe të paktën 200 mijë rezervistë deri në vitin 2035. (A2 Televizion)