Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e deputetëve të Partisë Demokratike, të cilët kërkuan shfuqizimin e dekretit të Presidentit Bajram Begaj. Pikërisht emërtimi i anëtares së kabinetit si „inteligjencë artificiale“ ka bërë që trupa më e lartë e drejtësisë të vlerësojë se nuk e ka në kompetencë shqyrtimin e kësaj çështjeje.
Gjykata arrin në përfundimin se formulimi i kundërshtuar është i aftë të prodhojë një efekt juridik individual ndaj Kryeministrit, por nuk rezulton se ai ka efekt konstitutiv autonom për krijimin e kompetencave ose strukturave të reja dhe, në çdo rast, efekti i tij nuk ka karakter normativ. Madje, Gjykata Kushtetuese sqaron se kemi të bëjmë me një terminologji të përdorur në dekret dhe jo me një funksionar konkret.
Gjykata evidenton se, pavarësisht terminologjisë së përdorur në dekretet e kundërshtuara, nuk rezulton se kemi të bëjmë me një funksionar konkret kushtetues, zgjedhshmëria, papajtueshmëria ose zgjedhja/emërimi i të cilit mund të përbëjë objekt kontrolli.
Më 12 shtator 2025, Presidenti Bajram Begaj, në dekretimin e kreut të qeverisë, Edi Rama, shtoi se Kryeministri ushtron edhe përgjegjësitë për ngritjen dhe funksionimin e Ministrit Virtual të Inteligjencës Artificiale. (A2 Televizion)